Ministri i brendshëm Skënder Hyseni gjatë raportimit të sotëm në komision parlamentar. Foto: Kallxo.com

Qeveria e Merr Mbështetjen e Parë Prej VV-së

Për ta marrë këtë mbështetje, qeverisë iu desh ta ndërmarrë një vendim të rëndësishëm: ndalimin e trenit me simbole nacionaliste serbe dhe ikonografi fetare ortodokse, i cili u nis të shtunën nga Beogradi drejt Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, duke folur sot para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri i dha ministrit të brendshëm Skender Hyseni, “mbështetjen e opozitës” për këtë veprim.

“Opozita edhe kërkon edhe mbështet operacionet policore kurdo qofshin, kurdo herë për Kosovën”, tha Selimi në mbledhjen e komisionit ku ishte i pranishëm edhe vetë ministri Hyseni.

Ministri, nga ana e tij, tha se qeveria ka qenë në koordinim me policinë për të marrë masa ndaj këtij treni që nga dita kur është paralajmëruar ardhja e tij në Kosovë.

“Që nga dita e paralajmërimit të nisjes së një treni me ikonografi çfarë ishin dhe mesazhe të skajshme nacionaliste që do të provokonin emocionet e secilit qytetar MPB ka qenë në koordinim me Policinë e Kosovës duke i trajtuar të gjitha opsionet e mundshme që në njërën anë të siguronin zbatim të ligjit dhe në anën tjetër të evitonin trazira brenda gjitha mundësive ndonëse asnjëherë nuk ka siguri në situata të tilla”, tha Hyseni.

Sipas Hysenit, ai tren nuk duhet hyjë në Kosovë sepse “është linjë e palicensuar, është një provokim i rëndë me sllogane urrejtjeje dhe konflikt nxitëse”.

“Policia e Kosovës e ka kryer punën e saj në mënyrë të shkëlqyeshme dhe dua t’i përgëzoj të gjithë. Planet e policisë nuk kanë mundur të bëhen publike paraprakisht sepse në raste të tilla dërgimi i mëhershëm i policisë atje do të ngjallte reagime të tjera”, tha ai.

Hyseni u shpreh i gëzuar që i tërë ky operacion përfundoi pa asnjë incident

Edhe anëtarja e këtij komisioni nga PDK, Ganimete Musliu, përgëzoi veprimet e institucioneve të vendit.

“Shteti i Kosovës përfundimisht ka tregu që ka zot shpie. Ne na duhet të jemi shumë të vëmendshëm që të mos bijmë pre e provokimeve. Konsideroj që shteti i Kosovës ka hyrë në një fazë të orientimit të tij”, tha deputetja Musliu.