Qeveria e Kosovës ka realizuar vetëm 64% të planit të punës për vitin 2018

Lëvizja FOL sot ka publikuar të dhënat statistikore të monitorimit të zbatimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë së Kosovës për vitin 2018, të cilat thonë se ekzekutivi ka realizuar vetëm 64 për qind të planit të punës.

Mexhide Demolli-Nimani nga kjo lëvizje, tha se FOL ka konsideruar se është në interes të dhe të qytetarëve që të analizohet puna dhe performanca e qeverisë andaj ka monitoruar çdo veprim të qeverisë të vendosur në planin e saj një vjeçar.

“FOL ka bërë monitorimin e Planit Vjetor të Punës së 21 Ministrive dhe Zyrën e Kryeministrit, të cilat në bazë të realizimit të planit tregojnë se ka pasur nivel të ulët të realizimit të planit të cilin e kishin paraparë ta përfundonin për një vit”, tha Demolli-Nimani.

Sipas saj, nga ky monitorim del se 921 aktivitete të parapara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2018, vetëm 594 apo shprehur në përqindje 64% janë realizuar, ndërkaq 237 aktivitete apo 26% kanë mbetur të parealizuara në afatin e përcaktuar kohor.

Ndërsa, për 90 aktivitete të 4 ministrive si: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimit Evropian nuk dihet se sa është realizuar plani i tyre një vjeçar, pasi që janë të vetmet që nuk janë përgjigjur.

“Ministria e cila ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara në Planin Vjetor të Punës se Qeverisë është: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thuhet në të dhënat e Lëvizjes FOL.

Më poshtë mund të shihni se sa janë realizuar aktivitetet nga 21 ministri dhe Zyra e Kryeministrit në formë statistikore.

Ndërkaq për të parë më në detaje aktivitetet e realizuara dhe të parealizuar në formë të grafikoneve klikoni këtu.

Zyra e Kryeministrit– kishte paraparë të realizoj 117 aktivitete në kuadër të planit Vjetor, nga të cilat 75 janë realizuar, ndërkaq 42 kanë mbetur të parealizuara, apo shprehur në përqindje ka realizuar 64% e aktiviteteve të parapara në planin vjetor të punës 2018.

Ministria e Drejtësisë – nga 64 aktivitete të parapara në planin vjetor të punës ka realizuar vetëm 34 prej tyre, apo shprehur në përqindje ka realizuar 53%.

Ministria e Financave  për vitin 2018 ka paraparë 45 aktivitete nga të cilat janë realizuar 39, apo shprehur në përqindje ka realizuar 87%.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik – nga 20 aktivitete sa kishte planifikuar të realizoj për vitin 2018, kanë mbetur 8 të parealizuara, apo shprehur në përqindje ka realizuar 60 % të aktiviteteve.

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës – nga 21 aktivitete të parapara ka realizuar 19 prej tyre, apo shprehur në përqindje ka realizuar 90 % të planit.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – në planin vjetor të punës së Qeverisë kishte planifikuar 39 aktivitete dhe janë realizuar 15 nga to, apo shprehur në përqindje ka realizuar 62 % të aktiviteteve të parapara.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – në planin e punës kishte paraparë të realizoj 50 aktivitete nga të cilat 5 kanë mbetur të parealizuara, apo shprehur në përqindje ka realizuar 92%.

Ministria e Punëve të Brendshme – kishte planifikuar 95 aktivitete nga to kanë mbetur të pa realizuara 26, apo shprehur në përqindje ka realizuar 73%.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – ministria në fjalë nga 18 aktivitete të parapara në planin Vjetor të punës së qeverisë për vitin 2018 ka realizuar të gjitha aktivitetet, shprehur në përqindje kjo është ministria e vetme e cila ka realizuar 100 % të aktiviteteve të parapara në planin e punës.

Ministria për Komunitete dhe Kthim – ka realizuar 13 aktivitete nga 17 sa ishin të parapara për vitin 2018, apo shprehur në përqindje ka realizuar 76%.

Ministria e Shëndetësisë – në kuadër të planit të punës ka realizuar 19 aktivitete, nga 37 sa ishin të parapara, apo shprehur në përqindje ka realizuar 51%.

Ministria e Administratës Publike – ka planifikuar 82 aktivitete, vetëm  15 nga to kanë mbetur të parealizuara, apo shprehur në përqindje ka realizuar 82% e planit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Ka planifikuar 61 aktivitete, nga të cilat 55 prej tyre i ka realizuar, apo shprehur në përqindje ka realizuar 90% e aktiviteteve.

Ministria e Infrastrukturës – nga 23 aktivitete të parapara në planin e punës, ka realizuar vetëm 8 nga to, apo shprehur në përqindje ka realizuar 35% të aktiviteteve të parapara.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – nga 59 aktivitete të planifikuara kanë mbetur të parealizuara  28 nga to, apo shprehur në përqindje ka realizuar 53% të tyre.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike – ka përfunduar 34 aktivitete nga 45 sa kishte paraparë në planin Vjetor të punës, apo shprehur në përqindje ka realizuar 76%.

Ministria e Zhvillimit Rajonal– nga 25 aktivitete të parapara për periudhën për vitin 2018, ka realizuar 20 aktivitete, apo 80 % të planit.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë – nga 13 aktivitete sa kishte për periudhën e janar-dhjetor 2018, kishte realizuar 12 aktivitete apo 92% të planit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – nuk janë përgjigjur në kërkesën e dërguar nga Lëvizja FOL. Kjo ministri kishte paraparë të realizonte 14 aktivitete po që s’dihet se a janë përfunduar.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – kishte paraparë 30 aktivitete në planin vjetor të punës 2018, FOL s’ka marrë përgjigje se sa për qind e planit është realizuar nga kjo Ministri.

Ministria e Punëve të Jashtme – s’kanë kthyer përgjigje, ministria në fjalë nga 15 aktivitete të parapara, s’dihet se sa përqind e planit ka arritur ta realizoj gjatë vitit 2018.

Ministria e Integrimit Evropian – s’kanë kthyer përgjigje, ministria në fjalë kishte paraparë 31 aktivitete dhe nuk dihet se sa për qind e planit janë realizuar.