Qeveria: Dëmtimi i Varrezave nuk Cenon Tolerancën

“Thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës,” thuhet në reagimin e qeverisë.

Ekzekutivi i vendit në reagim thotë se u “qëndron pranë familjeve të prekura dhe shpreh mbështetjen e plotë për banorët e fshatrave Romajë e Dedaj”.

Për dëmtimin e varrezave katolike në Romajë u raportua dje nga mediat, ndërsa policia tashmë ka nisur hetimet.

Qeveria falënderon edhe organet e rendit që po mundohen ta zbardhin këtë akt.

“Qeveria e Kosovës falënderon organet kompetente që merren me zbatimin e ligjit, të cilat po bëjnë punën e tyre për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje dhe për të vënë para përgjegjësisë personat që kanë kryer këtë akt të shëmtuar,” vijon reagimi.

Ekzekutivi e kujton edhe njëherë se “Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”.