Qerkinaj: Të dënohet shteti serb dhe jo vetëm individët për krimet që u kryen ndaj nesh

Bajram Qerkinaj, përfaqësues i Shoqatës së të Pagjeturve në takimin gjithëpërfshirës për Lansimin e Tribunalit Ndërkombëtarë për krimet e Serbisë në Kosovë, kërkoi që të zbardhet fati i  të pagjeturve.

“Është hera e dytë që jam në këtë foltore. Është shumë rëndë të flasësh pas 20 vitesh për këtë temë. Të gjitha ato dhimbje që i kemi tashmë i preku kryetari i kuvendit. Po shënohen të gjitha masakrat këto ditë. Ne vuajtëm shumë dhe ende do të vuajmë, por shpresat janë që do të bëhet një hap më i madh se që është bërë”, tha ai.

Qerkinaj tha se: “Sot nuk do të flas vetëm për familjen time, mirëpo për më shume se 1000 të pagjetur. Dhembja më e madhe për familjarët është kur troket dikush në derë të shtëpisë në orën 12 të natës ose të ditës dhe zgjohesh nga gjumi duke shpresuar se po vjen fëmija yt. Këta 100 fëmijë zemra të dhemb vetëm me i përmend”, tha ai.

Qerkinaj tha se duhet kërkuar drejtësi dhe se në këtë foltore janë bërë 6 kërkesa para katër viteve, për zbardhjen e fatit, për dënimin e kryesve të krimit.

“Dialogu të vazhdojë por të kërkohet llogari, disa prej të cilave nuk janë zbatuar dhe s`janë mjaftueshëm të fuqizuara. Të dënohet shteti serb e jo individët, por tipik shteti serb. Kjo iniciativë është e qëlluar”, kërkoi Bajram Qerkinaj, përfaqësues i Shoqatës së të Pagjeturve.

Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, organizatave dhe shoqatave për krime të luftës, deputetët të Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita. Në këtë takim po merr pjesë edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, rektori i UP-së Marjan Dema e të tjerë.

KALLXO.com transmetoi direkt seancën nga Kuvendi i Kosovës, kliko në LINK