Qeriqi: Agim Çeku Fajtor për Listat

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, në një intervistë për KALLXO.COM thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur më shumë se 20 mijë pjesëtarë.

“Në bazë të bisedave që kam pasë me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm numri i veteranëve mund të jetë maksimumi deri në 20 mijë. Kaq edhe janë të regjistruar në Organizatën e Veteranëve të luftës”, u shpreh Qeriqi.

Sipas tij është veç një Zonë Operative e UÇK-së e cila është reale në raport me numrin e veteranëve.

“Përveç Zonës së Shalës, e cila ka një numër më real, të gjitha zonat e tjera janë të fryra”, tha në mes tjerash Qeriqi.

Sipas Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit dhe Veteranit te UÇK së numri i veteranëve është 46,230

Për këtë numër kaq të madh të veteranëve, Qeriqi fajëson direkt kryetarin e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve, Agim Çekun.

“Fajtor është zoti Çeku. Merrni edhe përcjellni deklaratat e tij qysh prej përfundimit të luftës e deri më sot. A ka përmend diku se kanë qenë 46 mijë veteranë? Ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm. Jo vetëm ky, po asnjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nuk kanë deklaruar se kanë qenë 46 mijë”, shtoi ai.

Mirëpo në një prononcim për KALLXO.com, Agim Çeku rreth akuzave të Qeriqit thotë se çdokush duhet të flasë në bazë të kompetencave që ka.

“Unë kam respekt për të, për përpjekjen e tij për ta ruajtur dinjitetin e UÇK-së, mirëpo gjithkush duhet të flasë në bazë të kompetencave që ka. Unë kam qenë në pozitën e shefit të Shtabit dhe e kam parë nga lartë se sa e madhe është UÇK-ja, ndërsa disa të tjerë nuk kanë qenë aty, i kanë pasë disa pozita më të vogla dhe e kanë pa vetëm rrethin e vet. Nuk mundet një ushtar i Zonës së Shalës të flasë për Zonën e Karadakut”, theksoi Çeku.

Ndërsa sa i përket nismës së prokurorisë për të grumbulluar informata në lidhje me listat e veteranëve, Çeku tha së ka pasur një takim me kryeprokurorin dhe janë dakorduar për të hetuar të gjitha rastet që lajmërohen, mirëpo nuk bëhet fjalë për hetim ndaj gjithë procesit, sepse sipas tij, Prokuroria nuk e ka këtë mandat.

Për Çekun nuk është problem numri i madh i veteranëve por numri i atyre që marrin pensionet edhe pse kanë një punë tjetër.

E sipas tij kjo po i shkakton dëme të mëdha buxhetit të Kosovës.

Në anën tjetër Xhevdet Qeriqi ka uruar nismën e prokurorisë për të grumbulluar informata për numrin e “fryrë“ sipas tij të veteranëve.

Megjithatë, ai ka pak besim në punën e saj.

“Është një lajm i mirë që Prokuroria e Shtetit do të merret më këtë rast. Mirëpo sa kam besim që do ta përfundoj me sukses ky institucion hetimin e këtyre listave, kam pak besim për shkak se është i ndikuar nga politika, në këtë rast nga pushteti, megjithatë është një lajm i mirë”, tha për Kallxo.com Qeriqi.

Kujtojmë se Prokuroria para rreth 1 jave ka filluar grumbullimin e informatave sa i përket listave të veteranëve.  Prokuroria kishte njoftuar se keqpërdoruesit eventual të listave të veteranëve do të ndiqen penalisht.

http://kallxo.com/prokuroria-mbledh-informata-per-listat-e-veteraneve/