Foto: Ilustrim

Qentë Endacakë, Rrezik Permanent për Qytetarët e Prishtinës

Dy fëmijë, njëri 10 e tjetri 11-vjeçar kanë pësuar lëndime trupore pas sulmit nga një qen endacak në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur më 10 shtator derisa fëmijët ishin duke luajtur me top në këtë lagje.

Ky rast nuk u bë publik deri kur fëmija 10 vjeçar në po të njëjtën lagje u sulmua sërish derisa po shkonte për të blerë bukë. Tash nga dy qen.

Valdete Demaj, nëna e djalit 10-vjeçar, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë, ka treguar ndodhinë e 10 shtatorit kur djali i saj u sulmua dhe u kafshua në gjurin e majtë nga një qen endacak në lagjen “Ulpiana”.

“Të dielën me 10 shtator kah ora 11:00 ka dalë me lujtë me fëmijët e lagjes. Rreth orës 13:00 kanë ardhë fëmijët edhe më kanë thanë hajde ma shpejt se djalin e ka kafshu qeni edhe i ka dalë gjaku. Kur dola para banesës një djalë e kish kapë djalin tem në krah. Rrobat i ka pasë krejt të shkyme, u konë shumë i zbehtë në fytyrë”, shpjegon e emocionuar Demaj.

Demaj tregon se fillimisht ka dashur të mos e bënte publik këtë rast. Por, kur rasti u përsërit, ajo ka vendosur të flasë për KALLXO.com dhe të tregojë për kërcënimin nga qentë në këtë lagje.

“Prapë dje i njëjti sen ndodhi. Para orës 10:00 ka shku djali me ble bukë, prapë e kanë ndjekë dy qen. Ky veç ua ka gjujtë bukën. Kur erdh në shtëpi i kish zhyt teshat, se tu vrapu, ka rrëshqit shkallëve, veç u dridhke, ish traumatizu”, shpjegoi nëna e 10-vjeçarit.

Më 10 shtator djali i Valdete Demajt nuk ishte i vetmi që është sulmuar nga qentë.

Atë ditë e ka pësuar edhe djali 11-vjeçar i Bujar Spahiut.

Bujar Spahiu ka treguar për KALLXO.com se atë ditë djali ka ardhur në shtëpi duke bërtitur, ishte traumatizuar nga sulmi prej qenit.

“Të dielën djali ka dalë me lujtë me top te fusha e futbollit që është e rrethuar në “Ulpianë”. Veç kur i kam ndi disa të bërtitura, e kam pa djalin te dera, fati i tij që nuk e ka kafshu shumë po veç e ka gërrith, u mundu me kafshu në shpinë po nuk ka mujtë e ky u largu. E ka gërrithë te kofsha e majtë derisa djali është mundu me u largu prej tij. Fatmirësisht djali nuk ka plagë të thella”, tha Spahiu.

11-vjeçari është trajtuar në Klinikën Infektive për një javë, ku ka marrë edhe vaksina e antibiotik kundër infeksionit.

Valdete Demaj ka thënë që kjo lagje vazhdimisht është e kërcënuar nga qentë endacakë, të cilët gjithmonë janë pranë kontejnerëve të mbeturinave.

“Kjo lagje është e rrezikume, nuk mundesh gjithmonë me çu edhe me marrë prej diku fëmijën e as nuk mundesh me e mbajtë veç brenda. Ky duhet edhe me dalë”, tha Demaj.

Ajo gjithashtu shtoi se përderisa këto gjëra po ndodhin qysh në muajin shtator çfarë pritet të ndodhë në muajt e ftohtë të dimrit kur qentë vuajnë nga mungesa e ushqimit.

“Në shtator po ndodhin këto sene, po mos të flasim në dhjetor e në janar që janë të tërbum krejt për ushqim”, thekson ajo.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka thënë se situata me qentë endacakë ka arritur nivelin alarmant.

“Tash u bënë dy vite që i kam dërguar letra qeverisë e presidencës për ta ngritur çështjen në nivel nacional të sigurisë por nuk kam përgjigje. E kam potencuar se komunat nuk e kanë as mundësinë e as instrumentet me u ballafaqu me këtë dukuri vetë” ka potencuar Ahmeti.

Ai ka vazhduar më tej duke thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë por edhe të kontribuojnë financiarisht në zgjidhjen e problemit por se munden vetë.

“Po i bëj apel edhe kryeministrit Haradinaj që qeveria ta ngrit gjendjen e gatishmërisë sepse nuk ka çështje më të rëndësishme për qytetarin. Duhet dhe mund të mobilizohet AVUK, Universiteti i Prishtinës, FSK, organizatat për mbrotjen e kafshëve, komunat edhe secili komunitet por duhet të bëhet tani” shtoi Ahmeti.

I pari i Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në komunën e Prishtinës për të marrë vendime të shpejta të kontraktimit në përputhje me ligjin por se ai druan se nuk mjafton.

Drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani ka thënë për KALLXO.com se në Klinikën Infektive që nga janari i vitit 2017 janë trajtuar me terapi ambulantore 211 raste të kafshimit apo sulmit nga qentë endacakë.

“Nga këta të pranuar kanë qenë vetëm dy raste me gjendje më të rëndë shëndetësore, ndalim në mjekim disa ditë në klinikë” ka thënë Ramadani.

Ramadani ka thënë se më së shumti raste ka pasur nga Prishtina por që në Klinikë janë trajtuar edhe raste nga vendet e tjera.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi për rastin e 4-vjeçarit të sulmuar nga qentë endacakë në lagjen “Emshir” dhe i cili përfundoi në QKUK.