Qëndron Kastrati | Foto: Facebook

Qëndron Kastrati- Dorëheqja e Radhës nga Strukturat e VV-së

Qëndron Kastrati, kryetari i Kamenicës njoftoi sot se ka dhënë dorëheqje nga strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Duke qenë i zhgënjyer me situatën e krijuar dhe duke shpresuar që ky veprim i imi ta kthejë vëmendjen te nevoja urgjente për zgjidhjen këtij problemi, unë vendosa të jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm dhe pozicionet drejtuese në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje”, shkroi Kastrati në Facebook.

Kastrati në shpjegimin për dorëheqjen bëri të ditur se Vetëvendosja po kalon nëpër një periudhë të vështirë.

“Për seriozitetin e kësaj krize jam bërë i vetëdijshëm sidomos muajin e fundit. Kam takuar shumë njerëz që me kontributet e tyre kanë vendosur gurë dhe e kanë bërë Vetëvendosjen siç është sot”, shkroi më tutje Kastrati.

Ai atmosferën brenda subjektit nga strukturat e të cilit u tërhoq e konsideroi të papranueshme.

“Atmosfera që mbizotëron midis nesh është e papranueshme sepse nuk i ngjan aspak ambientit të Lëvizjes që ne e njohim. Sharjet e fyerjet midis nesh nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemit. Prandaj, ato duhet ndaluar sa më parë”, vijoi shpjegimi i Kastratit.

Ai kërkoi që të respektohen dorëheqjet e atyre që e kanë bërë këtë gjë.

“Ata po dorëhiqen dhe dorëheqja meriton respekt. Kontributin e tyre nuk mund ta marrë era nëse ke pasur mospajtime vitin e fundit”, shkroi Kastrati.

Ai përmendi edhe fjalët që janë thënë se do të kalojë në PDK. Tha se këtyre shpifjeve nuk ua kthyer me të njëjtën monedhë.

Kastrati në fund apeloi që të ruhet Lëvizja Vetëvendosje.

“Na duhet ta ruajmë Lëvizjen jo për hir të Lëvizjes, por për vendin. Na duhet ta ruajmë Lëvizjen jo për shkak të emrave të përveçëm, por për vendin”, shpjegoi Kastrati.

Nga pozitat në Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje edhe Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina, Faton Topalli e Aida Dërguti.

Nesër Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje do të mblidhet për të diskutuar rreth dorëheqjeve.

http://kallxo.com/kryesia-e-vetevendosjes-neser-diskuton-doreheqjet/

Dorëheqjet në Vetëvendosje janë komentuar nga kandidati për kryetar i këtij subjekti Albin Kurti dhe nga kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-zhvillimet-ne-vv-nuk-jane-bash-normale/

http://kallxo.com/albin-kurti-flet-per-doreheqjet-ne-vetevendosje/