Ambasadori turk Tanju Bilgiç dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq - Foto: Facebook/ Ambasada turke Beograd

Qëndrimi i MPJ për referimin e Ambasades Turke për Kosovën si "Kosova dhe Metohi"

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e ka cilësuar gabim teknik dhe keqkuptim skandalin në të cilin Ambasada Turke në Beograd iu është referuar Kosovës me akronimin KiM (Kosova dhe Metohia),

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se ky gabim teknik nuk do të ndikoj në partneritetin e fortë të Kosovës dhe Turqisë.

“Turqia është një vend mik dhe partner i Kosovës. Është ndër të parat që ka njohur Kosovën dhe ka mbështetur njohjen tonë ndërkombëtare. Gabimet teknike dhe keqkuptimet nuk ndikojnë në lidhjen e miqësisë sonë dhe nuk janë pasqyrë e cilësisë së partneritetit tonë që është i fortë”, ka shkruar Zyberaj në facebook.

Ambasada turke në Beograd gjatë ditës së djeshme duke njoftuar për takimin e ambasadori të Turqisë në Beograd, Tanju Bilgiç me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka bërë një skandal duke iu referuar Kosovës me akronimin KiM (Kosova dhe Metohia), të përdorur nga zyrtarët dhe nacionalistët serbë për Kosovën.

Mirëpo me të kaluar pak kohë, zyrtarë të Ambasadës janë përkujdesur që postimin në fjalë të fshinë nga profili zyrtar i Ambasadës në facebook, dhe këtë ta zëvendësojnë me një postim të ri në të cilën nuk përdoret akronimi ‘KiM’.