Qendra e studentëve

Qendra Studentore 10 Vjet pa Shërbime Shëndetësore

Që nga viti 2006 studentët banues të konvikteve në Prishtinë nuk kanë ndonjë qendër shëndetësore ku mund t’u ofrohen shërbime mjekësore.

Qëndrim Gashi, student në Universitetin e Prishtinës dhe banues në Qendrën Studentore për 4 vjet me radhë, tha për KALLXO.com se është përballur me probleme të ndryshme kur ka pasur nevojë për trajtim mjekësor.

“Personalisht kam pasur nevojë disa herë për mjek dhe më është dashur që në orën 2 ose 3 të natës të shkoj në qendrën mjekësore në Ulpianë dhe shpesh kam hasur në pengesa nga stafi mjekësor duke thënë se aty nuk mundemi me marrë shërbim për arsye se duhet me vizitu qendrën mjekësore në Bregun e Diellit, qendër e cila është mjaft larg sidomos kur ke nevojë me shku me u vizitu natën,” tregoi peripecitë e tij Gashi.

Për Gashin një kompleks i tillë banimi i studentëve në Prishtinë, duhet patjetër të ketë qendër shëndetësore.

“Mangësi është vetëm një qendër mjekësore ose një doktor me orar të plotë brenda qendrës studentore. Pra, në një banim kolektiv të përmasave të qendrës studentore është mëse e nevojshme një qendër mjekësore,” tha studenti Qëndrim Gashi.

Edhe Fatmir Sfishta, drejtori i Qendrës Studentore tha se kjo qendër e ka për obligim t’u ofrojë studentëve edhe përkujdesje mjekësore.

Sfishta tregoi se përpara ky shërbim u ofrohej studentëve brenda kompleksit.

“Fatkeqësisht objekti i qendrës së mjekësisë familjare i cili është në hapësirat e Qendrës së Studentëve nuk ka staf që nga viti 2006, stafi mjekësor është tërheqë dhe është dërguar diku tjetër nga Drejtoria Komunale për Shëndetësi,” tha Sfishta.

Sfishta tha se është marrë vesh me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti që Qendra e Studentëve bashkë me komunën ta funksionalizojnë përsëri shërbimin shëndetësor për banuesit e konvikteve.

“Ne si qendër e studentëve kemi marrë përsipër ta renovojmë objektin në tërësi nga brenda, të ndërrojmë paisjet elektrike, të ujit ose kanalizimit, dritaret, dyert kurse kuvendi komunal ka marrë përsipër të angazhojë staf mjekësor dhe të sjellë listën esenciale të barnave që duhen,” tha Sfishta.

Qendra shëndetësore në kompleksin e konvikteve ishte paraparë të funksionalizohej në tetor të vitit 2016, por kjo gjë nuk ndodhi pasi Komuna e Prishtinës nuk e kreu pjesën e saj të punës së marrë përsipër.

Zyrtarja për Informim në Komunën e Prishtinës Miranda Mullafazliu-Bejta shpjegoi për KALLXO.com arsyet e vonesës për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në Qendrën Studentore

“Arsyeja e vonesës ka qenë dhe vazhdon të jetë mungesa e personelit shëndetësor për shkak të vonesave që kemi pasur në përgjigjet nga Ministria e Financave për hapjen e konkursit për personel shëndetësor në QKMF. Ky konkurs ka përfunduar tashmë dhe janë nënshkruar kontratat me punëtorët e rinj të pranuar në këtë konkurs”, tha Mullafazliu-Bejta.

Ajo tha se për shkak të numrit të madh të pacientëve të prekur nga gripi, personeli mjekësor që duhej të punonte me studentët është shpërndarë nëpër qendrat tjera të mjekësisë familjare.

“Me t’u tejkaluar kjo fazë, do të bëhet edhe sistemimi i personelit të ri mjekësor dhe funksionalizimi i plotë i kësaj qendreje mjekësore,” premtoi Mullafazliu-Bejta.

Edhe drejtori Sfishta tha se ka marrë premtime që deri në fund të janarit qendra shëndetësore do të nisë punën.

“Duke dashur t’i mirëkuptoj edhe ata për vështirësitë që u kanë dalë gjatë rrugës, shpresoj që deri në fund të muajit kam një premtim gojor gjatë një bisede telefonike me Drejtorin e Drejtorisë Komunale për Shëndetësi, janë zotuar se në muajin janar të kompletohet edhe stafi dhe do të fillojë punën qendra e mjekësisë familjare,” tha Sfishta.

Në konvikte vitin e kaluar u pranuan 3600 studentë.

Në vitin 2015 pas një marrëveshjeje mirëkuptimi me Qendrën e Studentëve, KALLXO.com monitoroi procesin e regjistrimit në konvikte.

http://kallxo.com/130-studente-pranohen-ne-konvikte-pas-ankesave/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri