Qendra Multimedia bëhet gati për 'showcase'-in e parë në Kosovë

Nga 19 deri më 21 tetor 2018, Qendra Multimedia në Prishtinës do të sjellë  edicionin e parë të ‘showcase’-it, që njëkohësisht është edhe i pari i organizuar ndonjëherë në Kosovë.

Në edicionin e parë të ‘showcase’ do të shfaqen katër shfaqjet e fundit të prodhuara nga Qendra Multimedia, duke përfshi edhe premierën e shfaqjes së re ‘Hipokritët ose pacienti anglez’.

Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës Multimedia, ka thënë për Kallxo.com, se në këtë edicion, është përfshirë edhe shfaqja “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris, dhe që do të hapë festivalin teatror që organizohet nga teatri “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.

Pjesë e këtij ‘showcase’ janë edhe dy panele diskutimi dhe një mbrëmje letrare e muzikore, ndërsa përpos publikut kosovar, pjesë e këtij eventi do të jenë edhe rreth 30 mysafirë të huaj; selektorë festivalesh, kritikë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë e dashamirës të teatrit të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës.

“Synimi jonë është që showcase të jetë i përvitshëm. Ne besojmë që nga edicioni i radhës në vitin 2019, do të zgjerohet dhe do të përfshijë edhe shfaqje të tjera të realizuara nga teatro e kompani teatrore në Kosovë”, ka potencuar Neziraj.

Në këtë mënyrë, ka shtuar ai, ky ‘showcase’ kosovar do të jetë një mënyrë e mirë për të promovuar në botë teatrin e izoluar kosovar dhe një mundësi e mirë për selektorët e festivaleve, studiuesit, publikun e kritikët e huaj të përcjellin, vëzhgojnë e shijojnë teatrin kosovar dhe trendet e tij teatrore.

Programi i ‘showcase’-it të parë realizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Oda dhe Teatrin Dodona në Prishtinë, si dhe teatrin “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.