Qendra e Paraburgimit në Pejë rrezikon të mbyllet

Në një takim të mbajtur në shtator të këtij viti nga Qendra e Paraburgimit në Pejë, stafi i kësaj qendre është njoftuar që potencialisht këtij institucioni mund t’i vihet çelësi deri në fund të këtij viti në bazë të një vendimi nga Ministria e Drejtësisë.

Kryetari i Sindikatës së Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Frashër Rracaj tha për KALLXO.com se kjo gjë ju është bërë e ditur nga Drejtori i Përgjithshëm.

“Drejtori i Përgjithshëm i burgut të Pejës, sipas një vendimi të Ministrisë së Drejtësisë, i ka komunikuar të gjithë stafit se Qendra e Paraburgimit në Pejë se do të mbyllet dhe e njëjta do të transferohet në Qendrës Korrektuese në Dubravë”, tha kryesindikalisti Rracaj.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë mohon të ketë nxjerrë një vendim përfundimtar, por konfirmuan për KALLXO.com se janë në shqyrtim të kësaj çështje.

“Aktualisht jemi duke e vlerësuar situatën për Qendrën e Paraburgimit në Pejë në lidhje me mbylljen apo investimet në këtë qendër. Organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë rekomanduar mbylljen e kësaj qendre, pasi që nuk plotëson kushtet e ndriçimit natyral por siç edhe e cekëm më lartë është duke u bërë një vlerësim i hollësishëm i situatës aktuale dhe se as nga ne e as nga Ministria pra nuk është marrë ndonjë vendim për mbylljen e kësaj qendre.” tha zyra për informim e Ministrisë së Drejtësisë.

Duke shprehur pakënaqësitë dhe arsyet e tyre se pse nuk duhet mbyllur kjo qendër stafi i QP-së në Pejë së bashku me sindikatën e këtij institucioni, u janë drejtuar më shkresë një varg institucionesh të cilat ndër veprojnë çdo ditë mes vete.

“Këtë shkresë apo lutje ia kemi drejtuar Kryeministrit Ramush Haradinaj, Ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri, Drejtorit të QP-Pejë, Komisionit Parlamentar për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Kryetarit të Komunës së Pejës, Kryetarit të Gjykatës Themelore së Pejës, Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë, Avokatit të Popullit, Odës së Avokatëve, KLMDNJ-së dhe Eulex-it, për të shprehur pakënaqësitë dhe konsekuencat që do të paraqiten me mbylljen e kësaj qendre”, shtoi Rracaj.

Sipas stafit të QP-së, “regjioni i Pejës ka nevojë për këtë Qendër të Paraburgimit, sepse mungesa e kësaj qendre do të vështirësohet transporti, do të rriten shpenzimet, do të ndërlikohet dorëzimi i vendimeve apo ankesave, paraqitjes në seanca gjyqësore, e njëjta do të vështirësonte komunikimin dhe rritë rrezikun e sigurisë.” thuhet mes tjerash në ankesë e stafit drejtuar institucioneve.