Foto: Kallxo.com

Qalaj: Policia do ta ketë prioritet mbi prioritete dhunën në familje

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se Policia do ta ketë prioritet mbi prioritete dhunën në familje.

Ai këtë deklaratë e ka bërë gjatë ceremonisë për nënshkrimin e Memorandumit bashkëpunues për Sistemin e Integruar për evidentimin e të dhënave për rastet e dhunës në familje, e iniciuar nga Zyra e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje.

“Në aspektin formal po nënshkruajmë marrëveshje për të trajtuar këtë fenomen, kemi ardhë në konstatim se rastet e dhunës në familje janë rastet më specifike. Çështja është se sa herë flasim për dhunën e mendojmë vetëm në aspektin fizik, por unë konsideroj se është më e gjerë. Ne nuk mund të flasim për dhunën pa trajtuar të drejtat pronësore të grave, barazinë gjinore dhe që t’i trajtojmë këto, duhet t’i shikojmë në një aspekt më të gjerë, që të kemi një shoqëri pa dhunë”, ka deklaruar Qalaj.

E ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se dhuna në familje nuk është problem vetëm i shoqërisë kosovare, por është një problem global.

“Nuk është vetëm shoqëria jonë, por është problem global dhuna në familje. Ka qenë një angazhim i të gjithëve për hartimin e kësaj databaze, që do të na shërbejë shumë. Gjatë vitit 2018 dhuna në familje ka qenë me pasoja dhe vrasje tragjike. Dunën në familje e kemi vendosur si prioritet të ministrisë si dhe në angazhimin tim personal. Kërkoj nga institucionet ligj zbatuese si policia, gjyqësori që dhunën në familje ta vëni në prioritet dhe bashkërisht ta parandalojmë çdo dukuri negative në shoqërinë tonë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson, e cila tha se Kosova ka filluar të përparojë sa i përket trajtimit të dhunës në familje.

“Në të vërtetë besoj që është një zhvillim i rëndësishëm. Ne e dijmë që një prej pengesave më të mëdha për barazinë gjinore është dhuna. Dua po ashtu të uroj Kosovën për përparimin e saj në këtë fushë. Nga vetë shteti im në Suedi, fillimi i luftës ndaj dhunës në familje, ka qenë që të flasim për këtë dhe këtu në Kosovë po flitet dhe kjo është gjë e mirë, por megjithatë nuk mjafton. Dhuna në familje është një problem global në të gjithë botën dhe thjesht është e papranueshme sepse i pengon shoqëritë që të zhvillohen, me që është problem global na duhet një zgjidhje globale”, ka thënë ndër të tjera Richardson.

Kjo databazë që do të mbledhë të dhëna për çdo rast të raportuar të dhunës në familje, është nënshkruar nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Skender Çoçaj dhe nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni.