Rashit Qalaj para Komisionit per Pune te Brendshme... 27.03.2019

Qalaj: Në 2018-ën janë rritur vrasjet në Kosovë

Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka raportuar para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2018.

Drejtori ka njoftuar se rastet e vrasjeve gjatë vitit të kaluar janë rritur duke bërë që numri i tyre të shkoj deri në 32 raste të vrasjeve ndërsa 5 me pak kanë qenë në vitin 2017.

Drejtori Qalaj gjithashtu paraqiti statistika të tjera të raportit vjetor të vitit të kaluar.

“Kemi pasur një numër të rritjes së grabitjeve, në vitin 2018 janë 297 grabitje. Numri më i madh i grabitjeve është bërë në Prishtinë”, tha Qalaj.

Sipas tij, numri i aksidenteve në trafik ka shënuar zbritje.

“Statistikat nuk e paraqesin realitetin në trafik. Po mendojmë që duhet një qasje gjithëpërfshirëse nga të gjithë për trafik”, tha ai.

Qalaj ka deklaruar se: “Në fushën e krimit të organizuar, narkotikëve, kemi pasur sukses mjaft të madh. Në fushën e trafikimit 153 raste, janë realizuar 53 plane operative 263 persona janë arrestuar. Në fushën e narkotikëve, 18 grupe janë neutralizuar, janë arrestuar 2171 persona, janë konfiskuar heroinë, hashash e të tjera”, tha Qalaj.

Drejtori po ashtu ka përmendur edhe rastet e tensionimit të situatave në disa vende të Kosovës.

“Ka pasur tensione gjatë vitit të kaluar në disa pjesë të vendit por është menaxhuar mirë”, tha Qalaj.

Qalaj përmendi edhe rastet e Policit të involvuar në vrasjen në Suharekë dhe në rastin e policit të involvuar në rastin e Drenasit.

Kryetari i Komisionit, Haxhi Shala ka përgëzuar drejtorin për operacionin ndaj lojërave të fatit.

Gjithashtu Shala dëshiroi të dijë se cilat janë hapat që janë ndërmarrë në ligjin për pensionimin e zyrtarëve policor.

“Ligji i pensionit është njëra ndër çështjet kryesore që e mbështet Policinë e Kosovës. Policia nuk ka sigurim shëndetësor kemi një numër shumë të madh të kolegëve që janë edhe në moshë por edhe lëngojnë prej sëmundjeve. Është një ligj, ne e dimë që ka implikim të buxhetit. Për neve është krejt normal dhe e pranueshme që këtë ligj të aplikohet për 3 vjet 5 vjet. Por nuk dëshirojmë që të bëhemi barrë sepse e dimë që nuk ka edhe shumë buxhet”, tha Qalaj.