Foto: PK

Qalaj dhe Kosnett hapin bashkë trajnimin kundër Terrorizmit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, kanë marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit trajnues që realizohet nga Zyra e Programit për Asistencë Kundër Terrorizmit (ATA).

Qalaj në fjalën e tij me këtë rast tha se institucionet e Republikës së Kosovës ashtu si edhe qytetarët e saj, janë përcaktuar qartë për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Republikën e Kosovës.

“Respektimi i të drejtave të njeriut, të lirive fundamentale, gjithëpërfshirja dhe sundimi i ligjit janë të garantuara për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, apo të dallimeve të tjera dhe po ashtu jemi të përcaktuar qartë në orientimin proevropian dhe synimin për integrimin në institucionet dhe organizatat euro-atlantike”, ka thënë Qalaj.

Sipas një komunikate për media, ai ka shtuar se në frymën e kësaj, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative dhe krimit të organizuar në përgjithësi e veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të SHBA-ve, falë ndihmës, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave, si dhe përkrahjes së vazhdueshme nga SHBA-të, Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera vendore ka arritur të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj nga aktet e terrorizmit, andaj për këtë ju jemi mirënjohës dhe falënderues SHBA-ve”, ka thënë Qalaj.

Nga ana tjetër ambasadori amerikan Philip S. Kosnett u shpreh se ambasada amerikane është krenare që po bashkëpunon në këtë trajnim i cili ofron kornizën organizative të ligjeve dhe politikave për t’u marrë në konsideratë nga zyrtarët kur hetojnë apo gjykojnë terroristë. Kjo ngjarje është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për sigurinë sigurinë rajonale.