PZAP - Foto: PZAP/Video

PZAP pa asnjë ‘ankesë’ nga Auditori

Për dallim nga disa institucion e agjenci kur raportet e auditorit pasqyrojnë një mal me parregullsi, pasqyrat vjetore financiare për vitin 2018 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) rezultuan pa asnjë ‘behane’. Auditori në raport tregon se nuk kishte asnjë rekomandim për to. Në anën tjetër borxhet nga gjobat që partitë politike ua kishin PZAP-së, ua mblodhi me përmbarues.

Institucioni i cili shqyrton ankesat që dalin nga zgjedhjet në vend, që ndryshe njihet si Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i është nënshtruar auditimit të rregullt vjetor nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Në raportin 20 faqesh të auditimit për PZA-ën, nuk është theksuar asnjë gjetje nga pasqyrat financiare të PZAP-së për vitin që shkoi.

Në opinionin e pamodifikuar të ZKA-së thuhet se këto pasqyra paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë.

“Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018 paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale”, thuhet në opinionin e pa modifikuar të ZKA-së.

ZKA lëshon një opinion të pa modikuar atëherë kur arrin në përfundim se pasqyrat financiare janë përgatitur në të gjitha aspektet materiale në pajtim me kornizën e zbatueshme financiare.

Në vitin 2018 kishte 209 mijë e 805 euro në dispozicion. Në raport me buxhetin fillestar, me vendim të Qeverisë kishte një reduktim në buxhet për 8 mijë e 100 euro.

PZAP shpenzoi 190 mijë e 195 euro, ku 133 mijë e 466 euro u shpenzuan për paga, 56 mijë e 250 euro për mallra dhe shërbime dhe 478 euro për shërbime komunale.

PZAP kishte realizuar të hyra në vlerë prej 154 mijë e 50 euro nga shqiptimi i gjobave për subjektet politike të cilat janë bartur në buxhet.

“Të hyrat e realizuara nga PZAP në 2018 ishin në vlerë 154,050€. Këto janë të hyra nga shqiptimi i gjobave për ankesat e bëra nga subjektet politike ose individë tjerë si dhe konstatimit nga paneli zgjedhor se shkelja ka ndodhur. Këto të hyra transferohen në Buxhetin e Republikës së Kosovës (BRK)”, thuhet në raport.

PZAP numëron gjithsej 20 të punësuar, ku 10 prej tyre janë anëtarë me paga sekondare përderisa 10 të tjerë staf i sekretariatit me pagë primare.

Lidhur me pagat dhe mëditjet, Auditori nuk ka evidentuar ndonjë parregullsi.

Parregullsi nuk ka evidentuar edhe te shpenzimet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve.

PZAP ka një vlerë të pasurive neto prej 18 mijë e 294 euro. Auditori tregon se regjistrimi dhe mënyra e mbajtjes së evidencës së pasurisë është në përputhje me rregullën financiare.

PZAP me përmbarues ua mësyn borxhit të partive politike

raportin e auditimit thuhet se e vlera e llogarive të arkëtueshmeve në fund të vitit 2018 ishte 21 mijë e 940 euro , prej tyre 9,700 euro  ishin gjoba të shqiptuara ndaj subjekteve politike gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura më 22 tetor 2017, kurse shuma prej 12 mijë 240 euro janë gjoba të bartura nga vitet paraprake.

Paneli i ankesave me ndihmën e përmbaruesit i mbledh të hyrat.

“PZAP është duke përdorur mekanizma për inkasimin e gjobave, përmes dërgimit të tyre (nga vitet 2010-2014) tek përmbaruesi privat.”, thuhet në raport.

Në anën tjetër PZAP kishte vetëm 625 euro borxhe ndaj furnitorëve të cilat kishin rezultuar për shkak të pranimit me vonës të faturave.

Zbatimi i rekomandimeve dhe nevoja për auditim të brendshëm

Në raportin e ZKA-së për vitin 2017-të, ishin evidentuar dy të gjetura lidhur me   pasuritë kapitale dhe jo kapitale dhe raportimin menaxherial, llogaridhënien dhe menaxhimin e rrezikut.

Këto dy rekomandime PZAP i zbatoi plotësisht.

Meqenëse me udhëzim administrativ 23/2009, PZAP-së nuk i takon të themeloj dhe funksionoj njësinë e auditimit të brendshëm, PZAP kërkoi ndihmë nga Ministria e Financave që ajo ta kryej këtë shërbim. Kjo njësi e ka kryer auditimin dhe PZAP e ka marrë në konsideratë dhe ka hartuar planin për zbatimin e rekomandimeve.