Isa Mustafa - Foto: Facebook

PZAP Nuk e Komenton Deklaratën e Mustafës për Dënimin e Tij

Sekretari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku, tha për KALLXO.com se nuk i komenton deklaratat e askujt që komenton vendimet e PZAP-së.

“PZAP është duke e kryer punën në bazë të mandatit të përcaktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nuk komentojmë statuse e deklarata”, tha Desku.

Për këtë u pyet pas deklarimit të liderit të LDK-së në rrjetin social “Facebook”, Isa Mustafa, i cili kishte shkruar se dënimet e PZAP-së, i ngjasojnë plaçkitjeve të partive politike.

Ky reagim i Mustafës erdhi pas publikimit të lajmit nga KALLXO.com se ai është dënuar me gjobë prej 3.300 eurove, për përfshirje të fëmijëve në fushatë zgjedhore.

Sipas vendimit të PZAP-it, Isa Mustafa ka shkelur kodin zgjedhor kur në postimin e tij të datës 17 tetor në  profilin e tij të “Facebook” publikoi fotografi me fëmijë të cilët mbanin bluza me mbishkrimin Lidhja Demokratike e Kosovës.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet komunale 2017-ës është shoqëruar me shumë shkelje të kodit të zgjedhjeve nga ana e partive politike.