Një qytetar duke votuar - Foto: Atdhe Mulla

PZAP Gjobit 6 Kandidatë për Kuvende Komunale

Publikimi i thirrjeve për votimin e tyre në “Facebook” u ka kushtuar me gjobë 6 kandidatëve për kuvende komunale.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. PZAP, ka dënuar kandidatët për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

BIRN dhe Internews Kosova ka përcjellë me kujdes veprimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre gjatë heshtjes zgjedhore dhe ka depozituar në PZAP një numër ankesash për thyerje të heshtjes.

PZAP ka gjetur si të bazuara 6 pretendime për shkelje.

Kandidati për anëtar të Kuvendit Komunal të Ferizajt nga LDK, Burim Ugzmajli, është gjobitur me 250 euro për thyerje të heshtjes zgjedhore.

I njëjti në përgjigje është deklaruar se nuk e ka ditur se ripostimi i një thirrjeje të mëhershme është thyerje e heshtjes zgjedhore.

Megjithatë, PZAP nuk ka marrë parasysh këtë pretendim dhe ka vendosur ta gjobisë kandidatin për shkelje.

Një tjetër kandidat për Kuvendin Komunal të Ferizajt, nga radhët e PDK-së, Bahri Hasani është gjobitur me 200 euro për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Hasani kishte shpërndarë në llogarinë e tij në “Facebook” fotografinë e tij me logon e PDK-së dhe fletëvotimin që sugjeron të votohet PDK dhe numri i tij.

Në përgjigje ndaj ankesës, Hasani ka pretenduar se koha e publikimit të fotografisë ka qenë para dhe jo gjatë heshtjes zgjedhore dhe ka quajtur, ndër të tjera, ankesën e BIRN dhe Internews Kosova si “tendencioze”.

Megjithatë, PZAP ka vlerësuar provat si të “qarta dhe bindëse” dhe që vërtetojnë shkeljen e pretenduar.

Ndërkaq, dy kandidatë për Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës, Ukë Kalludra e Ali Zogjani nga LDK, janë gjobitur me një total prej 200 euro për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Ndërkaq, Imer Pantina nga AKR, kandidat për Kuvendin Komunal të Klinës është dënuar për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme me 200 euro, pasi duke shpërndarë fotografi dhe materiale të tjera në “Facebook”.

Gjobë ka marrë edhe kandidatja për Kuvendin Komunal të Prizrenit nga subjekti politik Kosova Turk Demokratik Partisi – KTDP për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Kandidatja në përgjigje ka deklaruar se nuk ka qenë e vetëdijshme se shpërndarja e fotografive me thirrje për votim për kandidatë në “Facebook” është thyerje e heshtjes. Megjithatë, pretendimi i kandidates nuk është pranuar nga PZAP.

Ekipi i Monitoruesve të BIRN dhe Internews Kosova deri më tani ka dorëzuar 110 ankesa në PZAP prej të cilave partitë politike deri më tani janë dënuar me 98 mijë euro.