Foto: Ministrtia e Bujqësisë

Pyllëzohen 300 hektarë tokë pyjore, procesi nis në Gjilan

Agjencia Pyjore e Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në vjeshtën e këtij viti ka filluar realizimin e projektit të përvitshëm për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura.

Në kuadër të këtij projekti, do të pyllëzohet një sipërfaqe prej 300 hektarë.

Projekti këtë vit ka nisur me pyllëzimin e sipërfaqeve në fshatin Llashticë të komunës së Gjilanit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se nevoja për një ambient të pastër dhe të pyllëzuar është e domosdoshme.

“Kosova ka nevojë për ambient më të pastër. Kosova në raport me vendet e BE-së ka një situatë të mirë me pyjet. Po ashtu hedhja e mbeturinave është e papranueshme, le të mundohen ta hedhin madje jo gjithkund, mos të shkatërrohet ambienti. Ta ruajmë jetën tonë. Është kulturë e vendit tonë. Mbi 50 për qind duhet të arrijmë pyllëzim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zëvendësministri Mevludin Krasniqi, ka thënë se ministria do të përkushtohet përmes investimeve të saj në ruajtjen e ambientit pyjor, si dhe në rritjen e sipërfaqeve të pyllëzuara nga viti në vit.

“Me qëllim të përmirësimit kualitativ të pyjeve, këtë vit po pyllëzohen mbi 300 hektarë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Kurse kryeshefi i APK-së, Ahmet Zejnullahu, ka treguar se projekti i pyllëzimeve në vend do të përfundojë të fund të muajit nëntor, ndërkaq planifikimet e kësaj agjencie për pyllëzim në vitin 2019 do të dyfishohen.

“Planifikojmë që në vitin 2019 të pyllëzojmë një sipërfaqe prej 600 hektarë”, ka thënë ai.

Zejnullahu ka shtuar se përmes projektit të FAO-s në pranverën e këtij viti kanë pyllëzuar edhe një sipërfaqe prej 70 hektarë. MBZHR-ja ka bërë të ditur se këtë vit fidanët për pyllëzimin e këtyre sipërfaqeve janë marrë nga Fidanishtja pyjore që është pjesë e Agjencisë Pyjore të Kosovës.