Dukagjin Popovci - Foto: Facebook

Pupovci: Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit- Mesazh për Klasën Politike

Sipas Dukagjin Pupovcit, ekspert i arsimit dhe ish-profesor në Universitetin e Prishtinës, përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është një mesazh i qartë për klasën politike të Kosovës se vendimet nuk merren duke u bazuar në argumentin e fuqisë, por në fuqinë e argumentit.

“Vendimi për shkarkim të menjëhershëm të gjithë zyrtarëve të lartë të AKA, pak javë pas marrjes së mandatit të Qeverisë së re dhe pa asnjë arsyetim, nuk ka pasur si të kuptohet ndryshe përveç si ndërhyrje politike, që është e papranueshme në fushën e sigurimit të cilësisë”, ka theksuar Pupovci në postimin e tij në “Facebook”.

Ai më tej ka shtuar se mesazhi që u ka shkuar vendeve europiane është se në arsimin e lartë të Kosovës nuk ka një proces të besueshëm të akreditimit, prandaj diplomat e fituara duhet të shihen me dyshim.

“Nuk është se, edhe më herët, nuk kanë pasur arsye të dyshojnë në cilësinë e diplomave të Kosovës, por tani ky dyshim është legjitimuar me një vendim zyrtar të një institucioni europian”, është shprehur Pupovci.

http://kallxo.com/agjencia-kosovare-e-akreditimit-perjashtohet-nga-nje-organizate-nderkombetare/

Dukagjin Pupovci ka thënë se mesazhi më i keq u ka shkuar të rinjve që kanë dëshirë t’i vazhdojnë studimet ose të kërkojnë punë në ndonjë vend europian.

“Përveç vizave, tani ata do ta kenë edhe një sfidë tjetër – të “luftojnë” për njohjen e diplomave të tyre jashtë Kosovës. Për hirë të tyre duhet të merren të gjithë hapat e mundshëm për të minimizuar dëmin”, ka përfunduar Pupovci.