Kampusi i UP-së. Foto: Kallxo.com

Punimet për ndriçimin në kampusin e UP-së nisin këtë muaj

Kampusi i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ mbetet një prej vendeve me rrezikshmëri për kalimtarët në orët e mbrëmjes për shkak të mungesës se ndriçimit.

Si rrjedhoje është raportuar për vjedhje të portofoleve, çantave e telefonave, duke u bërë kështu një prej vendeve ku më së shumti ndodhin vjedhje në Prishtinë.

Studentët tregojnë për rreziqet dhe frikën që kanë, pasi që janë ata të cilët e frekuentojnë më së shumti rrugën që të shpie në fakultet dhe në qendër të qytetit.

Studentja Berlinda Desku për KALLXO.com tha se këtë pjesë nuk e frekuenton në mbrëmje vetëm.

‘Kam jetuar deri në qershor këtu afër për studime dhe nuk ka pasë ditë që nuk kam kaluar këndej por natën jo. Me shokë ose me ndonjë familjar po, vetëm ose veç me shoqe jo. Po mendoj që komuna a dikush duhet me rregullu këtë problem”, tha qytetarja.

Një studente e UP-së, Rajmonda Haxhaj tha se ka dëgjuar raste të vjedhjeve në këtë zonë, dhe që do ta vlerësonte zgjidhjen e këtij problemi.

“Nuk më bie me kalu shpesh këndej pasi jetoj në periferi të Prishtinës, por kam dëgju shumë raste që kanë ndodhur, kryesisht vjedhje edhe do të ishte mirë me ngjitë drita aty”, tha studentja.

Kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i Shërbimeve Publike, Ismet Kokaj, tha se punimet për ndriçim të kësaj ane do të fillojnë në këtë muaj.

“Fillimi i punimeve ne Kampusin Universitar konkretisht te Biblioteka Kombëtare fillon në këtë muaj pra në muajin gusht”, tha Kokaj.

Ndriçimi publik ka për synim sigurinë e qytetarëve pasi që vetëm vitin e kaluar janë raportuar në polici mbi 23 raste të vjedhjeve në zonën e fakulteteve të Prishtinës.