Rruga për Prevallë - Foto: KALLXO.com

Punimet e Ujësjellësit në rrugën Prizren- Prevallë, kur do të përfundojë projekti?

Rrugës që dërgon nga Prizreni për në Prevallë me të arritur afër parkut të “Marashit” shihen punimet që po zhvillohen që nga tetori i vitit 2017.

Këto punime po zhvillohen nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Prizren.

Kjo është e vetmja rrugë lidhëse nga Prizreni që të dërgon në fshatrat Reqan, Mushnikovë, Lubinje, pastaj tutje për në malin e Prevallës, e deri në Brezovicë.

Nga parku i “Marashit”, rreth 3 kilometra deri te vendi i quajtur 40 Bunarët, po zhvillohen punime në restaurimin e sistemit të ujësjellësit.

Këto punime kanë krijuar edhe probleme gjatë lëvizjes me vetura në këtë pjesë.

Punimet po zhvilliohen në anën e rrugës që të bjen nga Prevalla për në Prizren.

Gjatë rrugës në pjesë të ndryshme ka pasur semaforë për të rregulluar qarkullimin.

Kallxo.com lidhur me këto punime dhe këtë projekt ka kontaktuar me Komunën e Prizrenit dhe me  Kompaninë Rajonale të Ujësjellsit “Hidroregjioni Jugor” Prizren, të cilët kanë dhënë sqarime për projektin dhe se kur parashihet të përfundojnë punimet.

Nga Komuna e Prizrenit në pyetjet e KALLXO.com është përgjigjur Krenare Koqi, shefja e kabinetit të kryetarit Haskuka.

Krenare Koqi lidhur me projektin sqaroi se është nën menaxhim të “Hidroregjionit Jugor”, kompani që edhe po i mbikëqyrë dhe po i zhvillon punimet.

Ajo theksoi se Komuna e Prizrenit vetëm ka ndihmuar me një investim shtesë duke pasur parasysh dinamikën e punës.

E njëjta ndër të tjera deklaroi se “… e kuptojmë shumë mirë shqetësimin e qytetarëve dhe banorëve të asaj zone sepse është e vetmja rrugë qarkullimi, që lidh Prizrenin me vendbanimet që gjenden në atë zonë”.

“Edhe në Komunë kemi pasur ankesa të shumta, por i lusim banorët që të kenë edhe pak durim sepse duhet të evitojmë çdo rrezik të mundshëm për probleme që mund të shfaqen më vonë, por në momentin kur gjithçka të jetë e siguruar se është në rregull, në kohë të shpejtë do të bëhet edhe rregullimi i asaj rruge”.

Nga Kompania e Ujësjellsit “Hidroregjioni Jugor”, për KALLXO.com ka dhënë sqarime Zenel Zenelaj, menaxher i projekteve, këshilltar i KE për ndërtimtari.

Lidhur me punimet dhe projektin Zenelaj deklaroi se Komuna e Prizrenit ka bërë disa investime shtesë, ndërsa projekti është bashkëpunim ndërmjet bankës Gjermane KFW, dhe projekt i kompanisë së ujësjellsit “Hidroregjionit Jugor”.

“Pra është një donacion i Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), dhe projekti është në mbikëqyrje të ‘Hidroregjionit Jugor’ Prizren, e cila po i bën punimet kryesore edhe për instalimin e ujësjellësit, për rritjen e kapacitetit dhe ofrimin sa më të mirë të shërbimeve të ujësjellsit”, theksoi Zenelaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Zyrën e Konsulencës në Prizren nga radhët e Bankës Gjermane KFW, respektivisht me Ali Palushin nga kjo zyrë, i cili dha detaje dhe sqarime për projektin dhe kohën kur pritet të përfundojnë punimet.

Palushi tha se projekti është një donacion i Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), e cila ofron donacione për sektorët siç janë energjia, ujërat dhe mbeturinat.

“Këtë donacion e ka fitur kompania e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Prizren. Projeki ka të bëjë me rritjen e kapaciteti të ujësjellësit, ndërrimin e sistemit të vjetër të ujësjellsit, pra ofrim të shërbimit më të mirë të Ujësjellsit”, theksoi Palushi.

Më tutje Palushi dha sqarime shtesë për kostotn e projektit.

Sipas tij vlera e kontratës është rreth 1 milion e 925 mijë euro. Kontrata është nënshkruar në maj të vitit 2017, ndërsa punimet kanë filluar në tetor të vitit 2017.

“Afati i përfundimit të punimeve parashihet të jetë shkurti i vitit 2019, gjithmonë nëse e lejojnë kushtet atmosferike, pra po flasim për përfundim të punimeve deri në asfaltim të rrugës dhe përfundim të të gjithë punëve në atë pjesë”, shtoi ai.

Ndërsa sa i përket zhvillimit të punimeve, Palushi tregon se projekti zhvillohet në dy pjesë.

“Pjesa e parë është nga vendi i quajtur 40 Bunarët, në gjatësi 3.2 kilometra, e deri te pjesa apo afër parkut të Marashit, ndërsa pjesa e dytë e punimeve është zhvilluar dhe përfunduar aty afër objektit të Lidhjes së Prizrenit”.

Sipas Ali Palushit qëllimi i projektit është rritja e kapacitetit të ujësjellsit dhe zëvendësimi i sistemit të vjetër me një sistem të ri më kualitativ dhe më të sigurt.

“Konsiderojmë që është një projekt jashtëzakonisht i mirë, kualitativ. Dhe se punët janë zhvilluar në dinamikë dhe në kohë rekorde, gjithçka ka shkuar sipas planit të punës, madje punët janë zhvilluar edhe shumë më mirë se që kemi pritur duke pasur parasysh vështirësitë”, shton ai.

“Fillimisht ishte paraparë që punimet të zhvilloheshin poshtë, pra afër rrjedhës së lumit, por kjo pastaj ka ndryshuar me qëllim që të mos prishet shtrati i lumit, dhe të mos prishet rrjedha e shtratit të lumit, prandaj më vonë punimet janë shpërngulur dhe kanë filluar të zhvillohen në rrugë, e kjo ka shkaktuar pak edhe probleme për shkak të rrugës së vështirë dhe të ngushtë, si dhe problemet kryesore kanë qenë lidhur me kategorinë e tokës në të cilën do të zhvilloheshin punimet”, potencon Ali Palushi.

“Kur kanë filluar punimet në rrugë kemi ditur që do të shkakton edhe ngadalësim të komunikaiconit dhe vështirësi në lëvizje, por duke ditur që është një projekt me shumë rëndësi dhe vlerë të madhe, lusim qytetarët që të kenë durim dhe mirëkuptim”, thotë ai.

Më tutje Ali Palushi lut qytetarët që e shfrytëzojnë atë pjesë të rrugës për mirëkuptim dhe durim.

“Jemi në dijeni që është e vetmja rrugë qarkulluese për atë pjesë, por jemi munduar që gjatë gjithë kohës të ketë sinjalistika të duhura, por duke marrë parasysh vështirësitë në rrugën e ngushtë dhe qarkullimin e shumtë të automjeteve në atë pjesë të qytetit, besojmë që gjithçka ka shkuar siç është më së miri”, shton Palushi.

Ndërsa për sa i përket rregullimit dhe asfaltimit të rrugës Ali Palushi nga zyra e konsulencës e Bankës Gjermane KFW, për KALLXO.com sqaron se faktin se asfaltimin e rrugës e ka marrë përsipër Ministria e Infrastrukturës, e cila ka marrë përgjegjësi për asfaltimin e dhe mbulimin e pjesëve të rrugës me të përfunduar puna që lidhet me projektin e ujësjellsit.

“Sipas kontakteve që i kemi me Ministrinë e Infrastrukturës, na kanë thënë që ata do të kryjnë pjesën e punës që u takon atyre, për atë pjesë të rrugës që janë përfunduar punimet me ujësjellësin, pra menjëherë sipas tyre me të përfunduar punimet që përfshijnë projektin do të bëhet edhe asfaltimi dhe mbulimi i rrugëve, ndërsa jemi duke punuar edhe në pjesën përfundimtare dhe instalimet e pjesës së fundit të projektit. Me të përfunduar edhe kjo pjesë, besojmë që edhe Ministria e Infrastrukturës menjëherë me të përfunduar punimet lidhur me projektin tonë, ata do të fillojnë punimet në mbulim dhe asfaltim të rrugës”, thotë Palushi.

Shkurti i vitit 2019 do të jetë periudha kur është paraparë të bëhet përfundimi i punimeve lidhur me projektin e ujësjellsit dhe mbulimi dhe asfatimi i tërësishëm i rrugës./kallxo.com