Gjykimi per pervetesim ne detyre- FOTO KALLXO

Punëtorja e akuzuar e FINCA-s nuk e pranon se i përvetësoi mbi 23 mijë

Në gjykimin ndaj Merita Shehu për vepra që ndërlidhen me korrupsion, e njëjta u deklarua e pafajshme.

Prokuroria e Gjakovës, po e ngarkon Shehun me veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Sipas aktakuzës, këto veprime janë konsumuar në muajin Janar  e deri në qershor 2018.

Merita Shehu si arkëtarë në Institucionin Mikro-financiar Finca, në Degën në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marrur shumën e të hollave prej 14.200 euro, e po ashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 977.50 euro.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, Merita Shehu tha se ndjehet e pafajshme.

Ndërsa i autorizuari i Finces, Auberon Kelmendi, tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se kërkon kompenzim dëmi.

Ai shtoi se e akuzuara nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj Institucionit Mikro-financiar Finca, andaj në kërkesën pasurore juridike kërkojnë kompensimin e shumës prej 23.977.60 euro.

Pasi që e akuzuara Merita Shehu u deklarua e pafajshme, prokurori Ali Uka tha se është e drejtë ligjore e të akuzuarës që të deklarohet në mënyrë të vullnetshme, mirëpo nga provat e aktakuzës do të vërtetohet se e njëjta ka kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Ndërkaq gjyqtari Shaqir Zika, shqyrtimin e dytë e caktoi për muajin janar të vitit të ardhshëm, duke i dhënë të drejtë të akuzuarës në parashtrimin e kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe të kundërshtimit të provave.