Punëtori Padit IPKO-n, Kërkon Kompensim të Pagave

Viktor Krasniqi e ka paditur kompaninë IPKO me pretendimin se e larguan padrejtësisht nga puna. Në gjykimin i cili është duke u mbajtur në Gjykatën e Prishtinës, Krasniqi po pretendon se IPKO e largoi kundërligjshëm nga puna.

Avokatja e tij, Vahide Braha, ka kërkuar gjatë seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë që gjykata të vendosë që kompania të bëjë kompensimin e të ardhurave për punëtorin nga momenti i ndërprerjes së punës, sipas saj, të kundërligjshme e deri në në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Kërkesa e avokates dhe padia e Krasniqit janë kundërshtuar nga përfaqësuesi ligjorë i IPKO-s, Isamedin Dedinca.

Ky i fundit ngriti pretendimet se Krasniqi nuk është larguar nga puna por të njëjtit i ka skaduar kontrata e punës.

Me rastin, sipas Dedincës, është marrë edhe Inspektorati i Punës i cili në raportin final i ka dhënë të drejtë kompanisë.

Procesi gjyqësor në këtë rast do vazhdojë në ditët në vijim.