Punëtorët e Spitalit të Gjilanit Protestojnë për Kushtet e Punës

Orarin e tyre të punës 40 mirëmbajtëse dhe 16 punëtorë të sigurimit të Spitalit Rajonal të Gjilanit sot e nisën me protestë.

Ata vendosën të protestojnë për shkak të kushteve jo të mira dhe jo të përshtatshme të punës.

Ndër kërkesat e shprehura në protestë janë rritja e numrit të punëtorëve të sigurimit, numër që sipas tyre po zvogëlohet, pavarësisht kapacitetit “shumë të madh” të Spitalit.

Gjithashtu, ata kanë kërkuar ngritje të pagave dhe që t’u kthehen paratë e Trustit Pensional, të cilat besojnë se nuk u janë paguar nga kompania kontraktuese “Rosa” nga Prizreni.

Jusuf Azemi, përfaqësues nga Sindikatat e Pavarura të Sektorit Privat të Kosovës për KALLXO.com deklaroi se nuk po respektohet Ligji i Punës dhe punëtorët po pësojnë shumë.

“Ndoshta më mirë të themi se këtu në Gjilan nuk respektohet Ligji i Punës dhe Marrëveshja Kolektive. Por, çka është edhe më keq – këta punëtorë pothuajse kanë hyrë në vitin e tetë dhe kontributet e tyre nuk janë paguar”, theksoi Azemi, duke shtuar se sipas një llogaritjeje që ai e ka bërë, kompanitë private së bashku me Qendrën Spitalore kanë bërë një keqpërdorim të mbi 150.000 eurove të punëtorëve të parapara për Trustin Pensional.

Azemi tha se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. “Ne kemi negociuar qysh nga qershori i vitit të kaluar dhe shpeshherë në tavolinë jemi marrë vesh por ekzekutimi i atyre vendimeve për të cilat jemi marrë vesh nuk ka ndodhur… Gjendja e këtyre punëtorëve është shumë e rëndë”, shtoi ai.

[interaction id=”56fd294982287b5830bf7682″]

Përfaqësuesi i Sindikatës akuzoi kompaninë “Rosa” se përveç përfitimeve nga mospagesa e kontributeve në Trustin Pensional përfiton edhe nga shfrytëzimi i punëtorëve që punojnë më gjatë se orari i tyre.

“Derisa puntorët e sigurimit i përfaqëson kompania “Rosa” nga Prizreni, punëtorët punojnë me nga 150 euro pagë, punojnë mbi orarin e punës, punojnë edhe në vendet vakante. Për shembull, kompania ka obligim që t’i paguajë 19 punëtorë për sigurimin e objektit, por zakonisht i ka 3 ose 4 më pak. Dhe përpos Trustit Pensional ajo përfiton edhe nga mungesa e punëtorëve pasi që një punëtor duhet të kryejë punën e dy personave”, theksoi Jusuf Azemi.

Ndërsa, drejtori i Spitalit Rajonal, Besim Guda, tha për KALLXO.com se ai së fundi është zgjedhur në këtë pozitë dhe se nuk ka qenë i njoftuar më herët me këto problematika. Ai u angazhua se së bashku me përgjegjësit e tjerë do të punojnë që këta punëtorë të kenë kushte më të mira të punës.

Guda theksoi se janë në pritje të përfundimit të procesit të tenderimit dhe që kompania e re tani do të ketë kushte më të favorshme dhe paga më të larta për puntorët.

Kurse, punëtorët teknikë dhe mirëmbajtës thanë se protesta do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e tyre megjithëse premtuan se do të vazhdojnë t’u shërbejnë qytetarëve në repartet e nevojshme.