Arkiv - Punëtorët teknikë të disa shkollave të Prishtinës, protestojnë para komunës. Foto: Kallxo.com - ARKIV

Punëtorët Teknikë Protestojnë Para Komunës, Nushi u Premton Pagat ‘Deri të Hënën’

Mbi 70 punëtorë teknikë të gjashtë shkollave të Prishtinës kanë protestuar sot para ndërtesës së komunës në kërkim të pagave të tyre pasi po pretendojnë se komuna nuk e ka respektuar një marrëveshje të arritur të hënën.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, tha se ky është muaji i tretë që këta punëtorë i marrin pagat e tyre vetëm pas protestave dhe grevave.

“Ne nuk e dimë deri kur do të shkojë kjo që pagat t’i marrim vetëm në bazë të grevave. Informacionet i kemi se kompania do t’i qesë pagat pjesën e vet dhe në bazë të informacioneve edhe kuvendi komunal do ta kryejë pjesën e vet. Bëjmë apel që mjaft me këtë situatë. I bëjmë apel Komunës së Prishtinës që t’i kryejë obligimet e veta”, tha Azemi.

Por nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, shprehu keqardhje që këta punëtorë kanë dalë në protestë.

Ai tha se në bazë të një marrëveshjeje të arritur në fillim të kësaj jave, pagat e punëtorëve ka qenë dashur të paguhen deri të hënën, ndërsa tha se sot është bërë ekzekutimi i tyre.

“Marrëveshja jonë ka qenë që deri të hënën të kryhen pagat. Sot është bërë pagesa në llogaritë e punëtorëve (nga kompania). Nuk është mirë që në këtë mënyrë të protestohet përderisa punët ende nuk janë kry. Ne sot i kemi fëmijët nëpër shkolla dhe banjot nuk janë të pastruara pasi që punëtorët janë sot këtu duke protestuar”, tha Nushi.

Ai shtoi se me këtë protestë, punëtorët “e kanë anashkaluar” marrëveshjen e arritur ndërsa premtoi që komuna do ta realizojë pjesën e vet të obligimeve deri të hënën.

“Të hënën do ta bëjmë pagesën qoftë edhe prej buxhetit tim personal”, tha Nushi.

Ai kishte vërejtje edhe për kohën kur është zgjedhur të mbahet kjo protestë, 10 ditë para se kryetari aktual i komunës, Shpend Ahmeti, të përballet në balotazh për një mandat të dytë.

“Jemi 1 javë para fushatës dhe nuk dua që të bëhen kësi lloj protesta me konotacion politik. Komuna do ta përfundojë punën e saj, punëtorët do t’i kenë pagat e tyre’, tha nënkryetari i komunës.

“Vonesat janë shkaktuar, shkak i vonesës së qeverisë. Jemi duke tentuar që me secilën kompani t’i përmbushim me obligimet tona. Nuk po i ikim obligimeve por jemi duke biseduar që t’i bëjmë zgjidhje jo vetëm punëtorëve”, shtoi ai.

Por atë që Nushi e quajti “konotacion politik”, Jusuf Azemi e cilëson si “presion sindikal”.

“Neve nuk ka intereson a kemi zgjedhje a jo. Ne na intereson diçka, po kërkoni me kry punë, na po kryjmë punë duheni me kry punën e juaj me i qitë pagat”, tha ai.

Pas takimit me nënkryetarin Muhedin Nushi, punëtorët e sektorit privatë, kërkuan prapë pagën e tyre.

Nushi tha se marrëveshja nuk ka ndryshuar ndërsa kërkoi nga punetorët që të kthehen në vendet e tyre të punës.

“Nuk ka kurrfarë risie rreth asaj marrëveshje. Qëndron ajo marrëveshje që kemi bërë të hënën. Kjo protestë ka qenë e panevojshme. Komuna të hënën e kryen pjesën e saj, obligimin e saj. Jemi duke folur për pagesa, ne do të kryejmë punën tonë. Sot ju duhet të ktheheni ne punët tuaja”, u tha Nushi protestuesve.