Punetoret teknik ne proteste - 17.04.2019

Punëtorët teknik kërkojnë nga Shpend Ahmeti ta mbajë fjalën, paralajmërojnë greva - FOTO

Punëtorët teknikë të disa shkollave të Prishtinës, të Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe punëtorë të sigurimit, kanë protestuar para komunës së Prishtinës, ku kanë kërkuar kthimin e tyre nën menaxhimin e komunës dhe rritja e pagës për 4% siç ju ishte premtuar.

Kryetari i SSPK-së, Jusuf Azemi, ka thënë se komuna e Prishtinës duhet t’i mbajë vendimet dhe qëndrimet e veta, për të cilat janë marrë vesh me sindikatën.

” Vërtetë është diçka e pakuptueshme, përkundër asaj që kryetari i komunës së Prishtinës, edhe me gojë edhe me shkrim është zotuar që do t`u bëjë pagesën këtyre punëtorëve prej 4%, por deri më sot nuk arriti ajo”, tha Azemi.

“Ne në takimet e fundit kemi biseduar për kthimin nën menagjimin e komunës, kryetari ka bërë kërkesë që ne të marrim miratimin nga Ministria e Administratës Publike, lidhur me kthimin direkt në menagjimin e komunës, por në momentin kur kemi shkuar në ministri është vërtetu se komuna e Prishtinës nuk ka bazë ligjore dhe këta punëtorë që nga gati para 10 ditëve në mënyrë jo ligjore janë duke i mbajtur”, ka deklaruar Azemi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se në takimin e fundit me kryetarin Shpend Ahmeti, është premtuar që ky proces do të përfundojë brenda tre ditëve, ndërsa sipas Azemit kanë kaluar 12 ditë dhe kryetari nuk ka kthyer përgjigje.

Punëtorët dhe sindikata kanë paralajmëruar që nëse brenda disa ditëve nuk marrin ndonjë përgjigje, nga e mërkura e javës së ardhshme do të hyjnë në grevë, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Punetoret teknik ne proteste – 17.04.2019