Punëtorët Kërkojnë me Grevë 5 Pagat e Vonuara
Ka ditë që mbeturinat në komunën e Deçanit nuk po mblidhen nga punëtorët e kompanisë së pastrimit “Higjena Publike”.
Kryepunëtori Naim Lokaj tha për KALLXO.com se për shkak se janë të varur nga pagat e tyre, ata kanë vendosur ta bojkotojnë punën derisa t’i marrin ato.
“Mos me kanë kjo punë na familje nuk mund të mbajmë. Kështu që na kemi vendosë që derisa sa nuk merremi vesh se si është zgjedhja e ardhshme, nuk do punojmë”, tha Lokaj.
Punëtori Shaqë Smajlaj thotë se kompania ka të hyra të mjaftueshme që punëtorët t’i marrin pagat me rregull. Sipas tij, vetëm dy inkasantë të kompanisë mund t’i sigurojnë pagat e punëtorëve, pa përfshirë shërbimet kontraktuese me institucione e biznese.
“Shpenzimet i kemi të shumë të vogla se veç dy kamionë e një traktor i kemi. Kah po shkojnë këto pare, çka është ka bëhet, na nuk e dimë”, thotë ai.
Sali Kuqi, udhëheqës i kompanisë vetëfinancuese “Higjena Publike” në Deçan tha se para një viti kur ka ardhur në krye të detyrës ka gjetur shumë borxhe të trashëguara.
“Në vitin 2014 janë mbetur dy paga pa paguar, tash janë prilli, maji dhe qershori. Prilli pritet deri kah dita e hënë të paguhet”, thotë drejtori.
Ai thotë së kompania ka numër të madh të punëtorëve krahas obligimeve që ka. Sipas tij, aq sa ka të hyra nga inkasimet në kompani, aq kushtojnë pagat e punëtorëve.
“Ka një operatorë privat që me dy punëtorë e kryen ketë territor. A këtu është një numër i madh i punëtorëve, se ka punëtorë që punon një herë në muaj”, tha ai.
Kuqi tha së bashkë me institucionet komunale kanë arritur një memorandum që paga e muajit prill të paguhet në fillim të muajit të ardhshëm, kurse katër tjerat deri në fund të vitit.
Drejtori tha se në rast se nuk përfshihen të gjitha fshatrat e territorit të Komunës së Deçanit në shërbim të kompanisë për grumbullimin e mbeturinave, do jetë e vështirë të sigurohen rregullisht pagat e punëtorëve.