Pamje nga mbledhja e sotme e punëtorëve të Stacionit të Autobusëve - Foto: KALLXO.com

Punëtorët e Stacionit të Autobusëve në Hall me ish-Drejtorin

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Stacionit të Autobusëve, Vllaznim Hajzeri, tha se ish-drejtori Ylber Çitaku, i shkarkuar nga punëtorët më 5 shtator, vazhdon t’u shkaktojë telashe.

Punëtorët ankohen për presionin që u vjen nga politika.

Sipas Hajzerit, koalicioni qeverisës PDK-LDK po u bën trysni për rikthimin e ish-drejtorit, të cilin punëtorët e larguan fizikisht nga zyra e tij më 22 shtator.

“Marrëveshja politike i ka nda kompanitë në Komunën e Prishtinës, ne na ka ra me na menaxhu Partia Demokratike e Kosovës që e ka çu Ylber Çitakun, jo si parti por si një individ”, tha Hajzeri.

Punëtorët e Stacionit të Autobusëve u mblodhën sot në zyrën e takimeve për të biseduar lidhur me problemet të cilat i kanë pasur gjatë kohës kur Ylber Çitaku ishte në postin e drejtorit.

Xhevdet Krasniqi, i cili në Stacion punon qe 40 vite, rrëfeu se si ishte diskriminuar nga ish-drejtori. “E ka pru djalin e motrës së tij edhe e ka pozicionu edhe shofer edhe furnizues”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se pasi u largua nga puna e furnizuesit iu dha puna e mirëmbajtësit të Stacionit, ndonëse është 65-vjeçar.

Në vend të Ylber Çitakut tani ushtrues detyre i drejtorit është Nezir Rama.

Fajin për të gjitha problemet që po ndodhin në Stacionin e Autobusëve punëtorët ia lënë koalicionit qeverisës PDK-LDK.

Hajzeri tha se rrezikohet koalicioni në qoftë se Ylber Çitaku nuk kthehet në postin që e kishte.

“Rrezikohet koalicioni nëse hiqet Ylber Çitaku sepse është i PDK-së, dhe ne kemi mbetë në mëshirën e koalicionit”, tha kryetari i sindikatës së stacionit të autobusëve”, tha Hajzeri.

KALLXO.com ka shkruar edhe për shkarkimin e ish-drejtorit Çitaku.

http://kallxo.com/bordi-shkarkon-kryeshefin-zhurme-ne-stacion/

http://kallxo.com/arrestim-ne-stacionin-e-autobuseve/