Punëtorët e Postës nga e hëna në grevë të përgjithshme (VIDEO)

Punëtorët e Postës së Kosovës kanë mbajtur grevë njëorëshe në të gjitha pikat e shërbimit, për shkak të krizës financiare që po kalon ky institucion.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, Etrit Hoti ka deklaruar se nëse nuk ka reflektim institucional lidhur me kërkesat e tyre, sindikatat do t’i ashpërsojnë veprimet.

Ai njoftoi se nga e hëna e ardhshme do të jenë në grevë të përgjithshme duke filluar nga ora 8:00 deri në orën 21:00 në mbrëmje dhe theksoi që gjatë kësaj kohe nuk do të ofrohet asnjë shërbim në asnjë zyrë postare.

“Greva jonë njëorëshe është një sensibilizim për reflektim të institucioneve relevante, të cilat janë përgjegjëse për ta tejkaluar krizën financiare në ndërmarrjen publike Posta e Kosovës. Nuk mund të ketë stabilitet për punonjësit pa mbulimin e Shërbimit Universal Postar, pa aprovimin e Strategjisë së Postës, e cila është dërguar për aprovim në qeveri si dhe pa ndalimin e favorizimit të operatorëve privat nga institucionet shtetërore”, tha Hoti.

Mursel Krasniqi, punëtor në qendrën kryesore të Postës së Kosovës tha se pesë muajt e fundit kanë probleme në marrjen e pagave.

“Jemi të shqetësuar për vonesën e pagave, nuk po i marrim me kohë  për shkak se institucionet nuk po na përkrahin. Do ta përkrahim sindikatën deri në fund. Kemi obligime financiare, mbajmë familje. Qe pesë muaj kemi vonesa në marrjen e pagave”, tha Krasniqi.

Sindikalistët kanë kërkuar falje që nuk po mund t’u shërbejnë qytetarëve të Kosovës dhe konsumatorëve të Postës.

Greva e punëtorëve të Postës, vjen pak ditë pas pezullimit të punës edhe nga punëtorët e administratave të Gjykatave dhe Prokurorive në vend.