Greva e punëtorëve të "Pastrimit" në Klinë - Foto: KALLXO.com

Punëtorët e ‘Pastrimit’ në Grevë, Kërkojnë Rrogat e Papaguara

Ata thanë se po kërkojnë t’u paguhen disa paga të cilat nuk ua ka paguar kompania që ka qenë e kontraktuar nga Komuna e Klinës.

“Rreth 20 punëtorë kemi dalë sot në grevë sepse ish-kompania e pastrimit “Vital” ka falimentuar dhe është larguar që një vit e gjysmë. Katër muaj ose pesë nuk na ka paguar fare. Tash ajo (kompania) nuk përgjigjet fare, as për të na dhënë rrogat as kurrqysh”, tha për KALLXO.com, Bore Kolaj, punëtore greviste.

Punëtorët grevistë thanë se kërkojnë vetëm pagat e tyre që ish-kompania u ka mbetur borxh.

Gjithashtu, për KALLXO.com ata sqaruan se grevën po e mbajnë në objektin e Komunës në mënyrë që kjo e fundit të ndërmarrë ndonjë veprim që t’u nxirren pagat nga ish-kompania.

Pas konsultimit me zyrtarët komunalë punëtorët grevistë arritën marrëveshje që greva e tyre të ndërpritet deri në zgjidhjen e radhës për pagat e tyre.

Drejtori i Administratës në Komunën e Klinës, Esat Rraci tha se sot në mëngjes kishte hasur në hollin e objektit të Komunës në disa punëtorë të pastrimit  që kishin hyrë në grevë shkaku i mospagesës së pagave nga kompania e mëparshme.

“Rreth 10 punëtorë i kam takuar në hollin e komunës që kishin filluar një grevë shkaku i moskryerjes së obligimeve nga kompania “Vital” që kemi pasur kontratë prej 28 gusht 2015 deri me 1 janar 2016. Shkaku që ka qenë e papërgjegjshme ndaj kontratës dhe punëtorët Komuna ia ka ndërpre kontratën. Unë bisedova me punëtorët që brenda një afati dyjavor në shkresën e fundit do ia bëjmë kompanisë. Nëse nuk përgjigjet kompania brenda këtij afati ne do shkojmë me përmbarues privat”, tha Rraci për KALLXO.com përmes telefonit.

Ai tha se me punëtorët janë marrë vesh që grevën ta ndërpresin deri në veprimet e ardhshme rreth këtij procesi.

KALLXO.com ka raportuar edhe për grevën e punëtorëve të pastrimit të Deçanit.

http://kallxo.com/greva-e-dyte-per-pagat-e-vonuara/