Arkiv- Pallati i Drejtësisë

Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë Duan Oksigjen

Mungesa e kushteve të punës, e veçanërisht mungesa e oksigjenit dhe mosfunksionimi i sistemit të ventilimit, ishte arsyeja pse punëtorët e Pallatit të Drejtësisë protestuan sot.

Për shkak të protestës së tyre, shumë qytetarë u kthyen pa kryer punë në Pallatin e Drejtësisë.

Florim Hasani nga Sindikata e punëtoreve të Pallatit të Drejtësisë tha se mungesa e ajrit në objekt i ka detyruar ata që të marrin këtë veprim – pezullim të punës.

“Ne kemi ardhur deri në këtë pikë sa ta ndërpresim punën sepse nuk ka ajër. Kemi rekomandime mjekësore që disa punëtorë janë të sëmurë. Kemi konstatim të mjekut që thotë se pacienti identifikohet me kushte jo të mira në vendin e punës”, tha ai.

Hasani tha se kërkesa elementare e protestës është oksigjeni. “Kërkesat tona konkrete janë që të ketë oksigjen në objektin e Pallati të Drejtësisë”, theksoi Hasani.

Edhe Sadri Llumnica, përfaqësues i Sindikatës së Prokurorisë së Apelit, u shpreh shumë i shqetësuar me vështirësitë me të cilat punëtorët e Pallatit përballen çdo ditë të punës.

Llumnica theksoi se problemi i ventilimit është permanent dhe se kushtet e punës janë të padurueshme.

Po ashtu, ai tregoi se para disa ditësh ka qenë në cilësinë e vëzhguesit në një takim mes përfaqësuesve të Ministrisë së Administratës Publike dhe të BE-së dhe të dhënat nga ai takim ishin shqetësuese.

“Të gjitha pikave të referuara të cilat menaxhmenti i tregoi përmes një katalogu, asnjë pikë referuese nuk i përgjigjej BMS-it, një lloj centrale. Do të thotë ajri nuk dihet sa hyn e sa del, nuk dihet as lagështia  e ajrit nëpër zyre. Katalizatori i tërë këtyre problemeve është ajri. Klimatizimi është katastrofik dhe këtë e pranoi edhe përfaqësuesi i BE-së“, tha ai.

Sadri Llumnica përmendi edhe problemet e tjera me të cilat përballen punëtorët e Pallatit të Drejtësisë, sidomos e veçoi transportin

Organizatorët e protestës paralajmëruan se ajo do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në formën e njëjtë.

Pallati i Drejtësisë është shoqëruar me probleme të ndryshme që nga dita kur hyri në funksion.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për prishjen e ashensorëve, me ç’rast ka pasur edhe të lënduar, pastaj për rrjedhjen e ujit të shiut, problemet me raftet, por problemi kryesor ka qenë mosfunksionimi i ajrosjes.

http://kallxo.com/pallati-i-drejtesise-te-henen-ne-proteste/