Punëtorët e Lotarisë paralajmërojnë protestë për të hënën

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë paralajmëruar përsëri protestë më qëllim që të miratohet Ligji i veçantë për Lotarinë.

Sindikata e Lotarisë ka shprehur shqetësimin e tyre duke paralajmëruar protestë para Qeverisë të hënën në orën 11.

“Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Seancën e mbajtur me 28.03.2019 ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj. Nga ajo kohë e deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas tyre, protesta e paralajmëruar do të vazhdohet gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar më 1 korrik së më pankartat “Qeveria pronare, punëtorët në rrugë”, “Mbajeni premtimin, miratojeni Ligjin” dhe “Edhe fëmijët tanë e duan jetën”, punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë për miratimin e ligjit dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e ekzekutivit si pronare.

Më 10 maj ka hyrë në fuqi Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit, në të cilën është përfshi edhe Lotaria e Kosovës, që është votuar në Kuvendin e Kosovës më 28 mars të këtij viti.

Dy vrasjet që kanë ndodhur në dy pika të lojërave të fatit në Lipjan dhe Suharekë ngritën alarm për funksionimin e këtyre pikave dhe quan deri në miratimin e një ligji që e ndalon veprimtarinë e këtyre bizneseve.

 

https://kallxo.com/punetoret-e-lotarise-kerkojne-miratimin-e-ligjit-te-vecante-per-ta/

.