Punëtorët e Llamkos-it në protestë, kundërshtojnë shitjen e ndërmarrjes pa kushte

Punëtorët e fabrikës Llamkos në Vushtrri do të organizojnë një protestë të premten për të kundërshtuar shitjen e kësaj fabrike pa kushte.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, ka thënë se reagimi i punëtorëve ka ardhur pas vendimit të fundit të Gjykatës Ekonomike që ndërmarrjen “Llamkos” ta vërë në shitje pa kushte.

“Të premten në ora 13 do të protestojmë para Komunës së Vushtrrisë. Kërkesat tona janë që fabrikës mos t’i ndërrohet destinimi dhe kthimi i punëtorëve në vendet e punës”, ka bërë të ditur ai.

Po ashtu Hasani ka treguar se punëtorëve të Llamkosit, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), u ka mbetur edhe 13 paga borxh.

Gjykata Ekonomike në Prishtinë, para pak ditësh kishte marr vendim që të nxjerr në shitje fabrikën e Llamarinës “Llamkos”, përmes ankandit publik në afat kohor prej 60 ditësh.

Ndryshe, privatizimi i Fabrikës së ‘Llamkosit’ të Vushtrrisë kishte dështuar dy herë dhe që nga viti 2015 kjo ndërmarrjes ka mbetur në proces të falimentimit. Si pasojë e mos punës edhe borxhet ndaj punëtorëve kanë shkuar duke u rritur.