Arkiv: Protesta e punëtorëve të KEDS-it
Punëtoret e KEDS-it paralajmërojnë grevë të përgjithshme - FOTO
Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektro-Kosova” kanë mbajtur sot protestë një orëshe para zyreve të KEDS-it në Prishtinë.
Ata kanë kërkuar ngritjen e pagave dhe zbatimin e kontratës kolektive, në të kundërtën do të fillojnë grevë të përgjithshme.
Ahmet Hyseni, kryetar i Sindikatës në Prishtinë tha se në rast se kërkesat e tyre nuk përmbushen do të fillojnë grevë të përgjithshme.
“Ju garantoj se do të luftojmë dhe nuk ka kthim mbrapa. Na takon kontrata kolektive e përgjithshme dhe paga të dinjitetshme. Në shtator do të filloj greva e përgjithshme, do të vendosim edhe tenda deri sa të përmbushen kërkesat tona”, tha Hyseni.
Ndërsa Avni Ajdini, kryetar i BSPK-së, tha se BSPK i përkrahë kërkesat e punëtoreve.
“Ne sot jemi këtu për të dhënë një mesazh për udhëheqësit e KEDS-it të cilët bëjnë çdo ditë shkelje flagrante me punëtorët. Pa dëshirë jemi sot këtu, ata na kanë shtyrë që të dalim për të drejtat tona”, tha Ajdini.
Ai shtoi se kërkesat e punëtorëve duhet të realizohen sa më parë, sepse në të kundërtën protestat do të vazhdojnë.
Protestë për ngritjen e pagave dhe zbatimin e kontratës kolektive është mbajtur sot edhe nga punëtorët e KEDS-it në Podujevë dhe në Drenas.