Punëtorët e KEDS-it i frikësohen largimit nga puna

Prej vitit 2013 e deri më tani, nga KEDS-i janë larguar nga puna 602 punëtorë, disa prej të cilëve kanë dalë në pension.

Këto të dhëna janë prezantuar nga përfaqësuesi i Sindikatës së KEDS-it para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik dhe përfaqësueseve të Bordit të ZRrE-së.

Fehmi Pajaziti ka thënë se pas largimit të disa punëtorëve, KEDS-i i ka punësuar 200 punëtorë të rinj, të cilët kanë paga relativisht të ulëta.

“Me 200 punëtorë të rinj dhe 600 të larguar, një pjesë të pensionuar e një pjesë të larguar me faj e pa faj të cilët sorollaten nëpër gjykata. Mendojmë që bashkërisht të gjejmë një gjuhë të përbashkët pa reflektuar në tarifë të energjisë elektrike por jo në dëm të punëtorit sepse ka reflektuar, prandaj sa është herët të veprohet”, ka shtuar Pajaziti.

Ai ka thënë se punëtorët e KEDS-i po frikësohen që do të mbesin pa punë për shkak të propozimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për caktimin e faktorit të efikasitetit në nivel prej 1,5 për qind.

“Nëse definohet saktë që faktori i efikasitetit mos të ndikojë te punëtorët sepse ne kemi vuajtur. Kërkoj të gjendet një harmonizim dhe të mos ndodhë ajo që nuk po e dëshirojmë”, ka thënë Fehmi Pajaziti, kryetar i Këshillit grevist të punëtorëve të KEDS-it.

Por, faktori i efikasitetit është caktuar tash e pesë vjet. Në periudhën e parë rregullative, KEDS-i ka qenë kompania me nivelin më të ulët të faktorit të efikasitetit. Në tri vitet e para nuk ka pasur fare faktor të efikasitetit.

Për më tepër, faktori i efikasitetit nuk lidhet vetëm më koston e personelit, mirëpo lidhet edhe me koston e mirëmbajtjes dhe shpenzimet tjera operative. Për periudhën e dytë rregullative, ZRrE-ja ka propozuar që faktori i efikasitetit për KEDS-in të jetë 1.5%.

Ymer Fejzullahu, udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRrE, ka shpjeguar se Bordi i kaluar i ZRrE-së ka marrë vendim që për periudhën fillestare të jetë 0 dhe se faktori i efikasitetit nuk ka qenë i lidhur me largimin e punëtorëve nga puna apo dëmtimin e tyre.

“Sa i përket faktorit të efikasitetit, Bordi i kaluar ka marrë vendim që për periudhën fillestare të jetë 0, faktori i efikasitetit nuk ka qenë i lidhur me punëtorët”, ka thënë Fejzullahu.

Anëtarja e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Hykmete Bajrami i është drejtuar Bordit të ZRrE-së duke kërkuar garanci që nëse faktori i efikasitetit do të jetë 1.5 për qind punëtorët nuk do të largohen nga puna.

“Këtë diskutim është dashur të bëhet me një përfaqësues të KEDS, sot kemi ZRrE-në që po i mbrojnë interesat e KEDS. Ju thatë që faktori i efikasitetit nuk është i ndërlidhur me zvogëlimin e numrit të punëtorëve të KEDS-it, kurse ata po kërkojnë një garancion që nuk do të largohen punëtorët”, ka thënë Bajrami.

Sekretari i Federatës Sindikale Elektro-Kosova, Rashit Gashi ka deklaruar në Komision se të gjitha pasojat e privatizimit të KEDS-it i kanë bartur punëtorët.

“I kemi dhënë komentet tona, jo domosdoshmërish faktori i efikasitetit mund të prekë punëtorët por prekë direkt te shpenzimet e punëtorëve. Investimet kapitale rriten për 31 për qind por në anën tjetër zvogëlohen shpenzimet operative. 4 përqindëshi i periudhës së kaluar ka pasur pasoja direkte te punëtorët që disa prej tyre janë ende nëpër gjykata. Kjo ishte brenga jonë e parë për raportin”, ka thënë Gashi.

Kurse anëtari tjetër i Komisionit, Liburn Aliu ka thënë se nëse KEDS-i mendon që ta rritë efikasitetin duke larguar nga puna punëtorë, kjo domethënë me u rritë efikasiteti në kurriz të punëtorëve.

“Brenga e punëtorëve është se ata do të largohen nga puna për shkak të uljes së normës së efikasitetit. Punëtorët që kanë ardhur pas largimit të punëtorëve të tjerë nga puna kanë një rrogë minimale prej 170 euro, nëse mendohet që të rritet efikasiteti duke larguar nga puna punëtorë, kjo domethënë me u rritë efikasiteti në kurriz të punëtorëve”, ka deklaruar Aliu.

Arsim Janova, u.d. kryesues i Bordit të ZRrE-së ka thënë se pagat e punëtorëve nuk janë zbritur si pasojë e faktorit të efikasitetit nga KEDS-i.

“Pagat nuk janë zbritur, faktori i efikasitetit ka qenë për dy vite, por pagat nuk nuk janë zbritur”, ka thënë Janova.

Janova ka treguar se këto raporte është dashur të përmbyllen në muajin mars të këtij viti por për shkak se nuk ka pasur kuorum në Bordin e ZRrE-së, ky proces ende nuk ka përfunduar.

Në mbledhjen e Komisionit është diskutuar lidhur me “Raportet Konsultative për përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale” si dhe “Raportin Konsultativ për përcaktimin e Faktorit të efikasitetit” nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ku ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e FSPE-së.

Raportet konsultative për KEDS-in dhe KOSTT-in do të prezantohen në mbledhjen e Bordit të ZRrE-së e cila do të mbahet me 24 shtator.

Para pak ditësh KALLXO.com ka raportuar se tarifat e energjisë elektrike do të ulen falë dështimeve të KEK-ut dhe KOSTT-it në realizim të investimeve.

Lirohet rryma falë dështimeve të KEK-ut dhe KOSTT-it në realizim të investimeve

Po ashtu KALLXO.com ka raportuar edhe për mbledhjen e mbajtur nga Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ku është bërë prezantimi i Parametrave Rregullativ nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me anën e të cilave janë caktuar të hyrat dhe tarifat e operatorëve dhe tarifat përfundimtare të konsumatorëve.

KEDS-i Dështon t’i Ulë Humbjet e Energjisë sa i Ishte Caktuar