Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Punëtorët e Gjykatës së Apelit kërkojnë të përfshihen në pakon emergjente të qeverisë

Enver Beqiri, nënkryetar i sindikatës së punëtorëve të judikaturës së Shoqatës Sindikale të Gjykatës së Apelit, ka deklaruar për KALLXO.com se kanë parashtruar një kërkesë pranë Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor nga të cilët kanë kërkuar që punëtorët e kësaj Gjykate të cilët janë duke dalë në punë të përfshihen në kategorinë e punëtoreve të cilët do të paguhen nga pakoja emergjente.

“Kemi kërkuar që punëtoret të cilët janë duke punuar me raste emergjente të përfshihen në pakon emergjente sepse edhe ne e bëjmë punën me rrezikshmëri të lartë sepse edhe ne kemi punë me të akuzuar dhe me ata që i thyejnë rregullat edhe ne jemi të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë proces, cdo ditë kemi punë me palë. Në Gjykatën e Apelit si Gjykatë që i përfaqëson të gjitha Gjykata Themelore në tërë Kosovën jemi diku 20 vetë që po punojmë. Ne të hënën e kemi dërguar këtë kërkesë, por deri më tani askush nuk na kanë kthyer përgjigje”, ka deklaruar Beqiri.

Ai u ankua edhe për mungesën e mjeteve mbrojtëse për mbrojtje nga virusi COVID-19.

“As nuk na kanë sjellë dorëza, as nuk na kanë sjellë askush dezinfektues, vetëm një ditë kanë qenë dhe e kanë dezinfektuar objektin në ditën e dytë kur është paraqitur rasti i parë në Kosovë. Ne po kemi vështirësi sepse autobusi për Pallat të Drejtësisë nuk është duke punuar po ashtu nuk po kemi ushqim pasi që byfeja nuk është duke punuar”, ka deklaruar më tej Enver Beqiri nga sindikata e punëtoreve të Gjykatës së Apelit.

Edhe kryetari i kësaj shoqate, Hajzer Behrami e ka konfirmuar se kanë ushtruar një kërkesë lidhur me përfshirjen e punëtorëve të Gjykatës së Apelit në pakon emergjente të miratuar së fundmi nga Qeveria, ai u ka kërkuar institucioneve që t’i përgjigjen pozitivisht kësaj kërkese për përfshirjen e punëtoreve të Gjykatës së Apelit në këtë pako emergjente.

“Ashtu si jeni në dijeni që nga data 15 mars 2020, Gjykata e Apelit është duke punuar me staf të reduktuar, me lëndë të natyrës urgjente, kryesisht paraburgime, masa të përkohshme të sigurisë, lendet me urdhër mbrojtje etj.  Si rrjedhojë  kryetari i Gjykatës së Apelit, ka caktuar një  plan veprimi dhe një staf të reduktuar, i cili do të mbaj kujdestari, çdo ditë pune në gjykatë. Meqenëse këta njerëz i ekspozohen drejtpërdrejtë rrezikut për infektim, si pasojë e kontaktit me palë por edhe më lëndë,  por edhe për shkak të punës së vështirë në këto rrethana, duke nisur nga  mungesa e transportit, mungesa e ushqimit dhe gjerave tjera bazike, ju lutem që të keni mirëkuptim dhe të ndani mjete financiare shtesë për ta, sikur është bërë me policet, gardianet dhe kategoritë tjera të ngjashme”, thuhet në njoftimin e kryetarit të sindikatës së punëtorëve të judikaturës së Shoqatës Sindikale të Gjykatës së Apelit, Hajzer Behrami.

Me 3 prill 2010, hyri në fuqi vendimi për Planin Operacional për Pakon Fiskale Emergjente nga ana e Ministrisë së Financave dhe Transferve.

Në bazë të kësaj pakoje është paraparë që për punëtorët e stafit mjekësor, Policisë dhe Zjarrfikësve, Qeveria do të ndaj një shpërblim shtesë në shumën fikse prej 300 eurove, për secilin nga dy muajt e ardhshëm.