Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Punëtorët e gjykatës në veri i kthehen punës

Punëtorët e Gjykatës Themelore të Mitrovicës e cila funksionon në pjesën veriore të qytetit, janë kthyer në punë.

Monitoruesja e KALLXO.com nga kjo gjykatë njofton se të gjithë punëtorët janë në punë dhe se pritet që seancat të mbahen sipas orarit të paraparë.

Të martën, kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, u kishte shkruar letër ambasadorëve në Kosovë dhe shefave të misioneve ndërkombëtare që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të ndikuar te institucionet e Kosovës që ta ndryshojnë qëndrimin “në mënyrë që situata në Kosovë të normalizohet” dhe që ata “ta kthejnë besimin te banorët serbë”.

Atë ditë punëtorët e gjykatës në veri të Mitrovicës kishin ndërprerë punën në mëngjes në shenjë solidarizimi me qytetarët të cilët po protestojnë në katër komunat e veriut të Kosovës.

Në letrën e kryetarit të gjykatës thuhet se javën e fundit, vendimi i qeverisë së Kosovës për të vënë embargo ndaj produkteve serbe “jo vetëm që ka përkeqësuar të drejtat e njeriut por ka vënë në pyetje edhe ekzistencën e popullit serb në tërë Kosovën”.