Punët 'shkel e shko', Komisioni kërkon që të monitorohen kontratat

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur sot mbledhjen me pikën e rendit të ditës – shqyrtimi i raportit financiar për vitin 2018 të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Deputetët kërkuan sqarime lidhur më fatin e operatorit i cili ende pa përfunduar punimet dëmtohen, e që si rrjedhojë, u kërkua edhe që të monitorohen kontratat.

Kryetari i KRPP-së, Osman Vishaj gjatë raportimit tha së buxheti i shpenzuar në paga dhe mëditje është afër 59 për qind.

“Buxheti i Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik është 609 mijë e 200 euro. Paga dhe mëditje 334.948 euro, mallra dhe shërbime 269.253 euro dhe shpenzime komunale 5 mijë euro. Në buxhetin e KRPP-së pjesën më të madhe të buxhetit e kanë pagat dhe mëditjet më 55,0% dhe mallrat dhe shërbimet me 44.18% dhe shpenzimet komunale me 0.82%”, tha Vishaj.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku kërkoi sqarime se a i ndalohet licenca ndonjë operatori dhe shqetësuese e paraqiti vlerën e aneks-kontratës.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Blerim Kuqi, kërkoi që të organizohen trajnime në mënyrë që të trajnohen zyrtarët dhe po ashtu kërkoi koordinim në mes të KRPP-së dhe OSHP-së.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, parashtroi si çështje mungesën e një liste të zezë me të cilën do të hyjnë ata që nuk e përfillin kontratën.

“Këto ndërmarrje që nuk kanë përfillur kontratën është dashur të vendosen në një ‘listë të zezë’ në rast se nuk është realizu puna. Kjo s’ka ndodhë, ndoshta se kanë lidhje me X institucionin por ne nuk duhet ta lejojmë institucionit përgjegjës por ne duhet me ligj automatikisht me u vendos në ‘listë të zezë’. qoftë edhe vëllai yt nëse është duhet me hy nëse nuk e përfillë kontratën”, tha ai.

Gjithashtu, Lushtaku lidhur më listën e zezë ai përmendi si shembull rastin e shkollës në fshatin Llapushnik të Drenasit e cila është dashur të hyjë në ritenderim pasi që punimet e kryera nuk janë bërë siç duhet.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë shkollë në Drenas në muajin shkurt.

Safete Hadërgjonaj, deputete e PDK-së, shprehu nevojën për monitorimin e kontratave, pasi që sipas saj shumë projekte ende pa përfunduar po dëmtohen.

“Unë e kam shiku raportin, më vjen mirë që shumë çështje qe kanë qenë problematike, kanë ardhur duke u evidentuar, ka pasur shumë kontrata të negociuar por që janë zvogëlu që po vërehet së më së shumti Korporata Energjetike ka negociu. Po më duhet me ditë çka kishit mujtë me ba ju me përkrahjen tonë, me u monitoru kontratat. Janë disa projekte afatgjate ende pa u fut në funksion ato dëmtohen. A keni diçka në ligj që ja jep mundësinë bile për një periudhë me dhanë llogari ata?”, u shpreh ajo.

Më tutje, gjatë kësaj mbledhjeje u prezantua edhe raporti financiar për Ndihmë Juridike e cila kaloi pa diskutim.

Sa i përket rendit tjetër të ditës i cili është shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Autoritetit Rregullativ të Shërbimeve të Ujit për vitin 2018, kryetari Abdixhiku e konsideroi të lartë shumën e qirasë dhe udhëtimit jashtë vendit.

Pikat tjetër e rendit të ditës lidhur me shqyrtimin e kërkesës së datës 11 mars 2019 të drejtorit të Sekretarit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës caktimin e lartësisë së koeficientit dhe të pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të kësaj Agjencie, u kërkua që të mbahet pa praninë e mediave dhe personave tjerë monitorues.