Punësimi i dyshimtë i Shota Baraliu në kompaninë publike

Muaj më parë KALLXO.com kishte raportuar për një sërë punësimesh me kontrata të veçanta në Ndërmarrjen Publike Regjionale “Pastrimi”.

Raporti i auditorit për këtë vit për ndërmarrjen “Pastrimi” ka gjetur se këto punësime janë bërë me kontrata të veçanta dhe në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Auditori sqaron se punësimi i personave pa ndonjë proces konkurrues, eliminon konkurrencën dhe rrit rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur.

“Angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike në pozita të rregullta të punës pa zhvilluar ndonjë proces konkurrues, eliminon konkurrencën dhe rritë rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara”, thuhet në raport të auditimit.

Në fluksin e këtyre punësimeve, figuron edhe emri i aktores, Shota Bajraliu. Ajo ishte punësuar me 14 dhjetor në departamentin e marketingut të kësaj ndërmarrje.

Auditori ka gjetur se në dhjetor të vitit të kaluar në këtë ndërmarrje ishin angazhuar 17 punonjës me kontrata të veçanta pa u zhvilluar proces i rekrutimi.

“Gjatë muajit dhjetor 2018, ndërmarrja kishte angazhuar 17 punonjës për punë dhe detyra specifike, mirëpo këta punonjës mbulonin pozitat e rregullta të punës dhe për të njëjtit nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit”, thuhet tutje në raport të auditimit.

KALLXO.com kishte raportuar në mars të këtij viti për punësimin e Shota Bajraliut në ndërmarrjen publike “Pastrimi”.

https://kallxo.com/gjnk/aktorja-shota-baraliu-punesohet-ne-kompanine-publike/