QKUK - Foto: Atdhe Mulla

Punësimi i 300 mjekëve të rinj peng i miratimit të buxhetit

Dhjetëra mjekë specialistë që kanë përfunduar shkollimin e tyre bazë dhe atë specialistik i janë drejtuar Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar që t’i jepet zgjidhje situatës së tyre.

“Siç jeni në dijeni dhjetëra mjekë specialistë të mjekësisë kanë përfunduar studimet në lëmitë e ndryshme specialistike, shumica prej të cilave të financuara nga Ministria e Shëndetësisë përderisa me muaj e vite po presin për shpalljen e konkursit publik në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës”, thuhet në letrën e tyre dërguar këtyre dy institucioneve.

Mjekët paralajmërojnë Ministrinë dhe SHSKUK-në që të marrin masa për të zgjidhur çështjen e tyre duke ndihmuar kështu edhe në parandalimin e largimit të mjekëve në Gjermani.

“Për këtë shkak kërkojmë nga ju që sa më shpejtë të gjeni mundësinë për të na takuar disa përfaqësues nga grupi i specialistëve të papunë, në mënyrë që t’i shmangim protestat e mundshme në një të ardhme”,  thuhet në letrën e tyre.

Përderisa mjekë të çdo kategorie janë duke kërkuar nga shteti përkrahje për të përmirësuar pozitën e tyre në punë si duket kërkesa e mjekëve specialistë nuk po has në vesh të shurdhër.

Zyra e drejtorit të përgjithshëm Shërbimit Spitalor Klinik Universitar thotë se në planifikimin e buxhetit për vitin 2019, ka planifikuar punësimin e  specialistëve që janë aktualisht të pa punë në kuadër të klinikave të QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme.

“Bazuar në kërkesat e klinikave, spitaleve dhe institucioneve tjera përbërëse SHSKUK për punësim të mjekëve specialistë i ka paraqitur kërkesat gjatë dëgjimeve buxhetore që janë mbajtur dhe shpresojmë se me miratimin e buxhetit 2019 për SHSKUK, do të lejohen edhe punësime të reja që janë të nevojshme për spitalet, QKUK dhe njësitë tjera SHSKUK”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Njëjtë është deklaruar edhe nga Ministria e Shëndetësisë e cila tha se bashkë me SHSKUK-në kanë kërkuar që për vitin 2019 në SHSKUK dhe njësitë e saj të lejohet punësimi i 300 profesionistëve shëndetësor, prej të cilëve shumica specialistë.

“Me miratimin e buxhetit, do të zhvillohen edhe procedurat për rekrutimin e profesionistëve sipas nevojave që i kanë institucionet. MSh është e angazhuar që gjatë vitit të ardhshëm, të mos ketë specialistë të papunë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas Ministrisë interesimi i specialistëve është që të punësohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe sikur kjo të mos ishte ashtu numri i atyre specialistëve të papunë do të ishte më i vogël. MSh tha se pas miratimit të buxhetit, në vitin tjetër hapen edhe konkurset.