Foto: Ministria e Inovacionit/Facebook

Punësime me kontrata mbi vepër në Ministrinë e Inovacionit

Ministria e Inovacionit e udhëhequr nga Besim Beqaj ka përdorur procedura të përshpejtuara të rekrutimit për të punësuar staf për funksionalizim të ministrisë së re.

Auditori ka gjetur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në nëntë raste kishte rekrutuar punonjës me “Marrëveshje për Shërbime të Veçanta“, me afat tre deri në gjashtë muaj, në pozita të cilat ishin paraparë përmes rregullores të rekrutohen si pozita të rregullta. 

Prej tyre 4 zyrtarë brenda departamentit të inovacionit, 3 brenda departamentit të ndërmarrësisë, si dhe 2 në departamentin për financa dhe shërbime të përgjithshme.  

Plotësimi i pozitave të rregullta me staf të përkohshëm, sipas Auditorit  rrezikon angazhimin e stafit jo adekuat në pozitat përkatëse dhe mund të rezultojë me performancë të dobët në kryerjen e detyrave. Kjo më pas mund të ketë efekt negativ në realizimin e objektivave në nivel të ministrisë. 

“Ministri duhet të siguroj se janë ndërmarrë veprime për plotësimin e pozitave të lira me staf të rregullt dhe jo përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, ndërsa këto të fundit të aplikohen vetëm për punë/shërbime të cilat nuk janë të parapara si pozita të rregullta pune”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Në raportin e Auditorit thuhet se këto punësime janë bërë për shkak të nevojës për funksionalizim të ministrisë, duke qenë se rekrutimi përmes procedurave të rregullta kërkon kohë më të gjatë për t’u realizuar, ndërsa angazhimi i punëtorëve me marrëveshje për shërbime të veçanta, kishte mundësuar plotësimin e pozitave të lira përmes një procedure të thjeshtëzuar të rekrutimit. 

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është ministri e sapoformuar dhe ky është auditimi i parë që i është bërë nga ZKA. Në raportin e auditimit për vitin 2018, kjo ministri ka marrë 14 rekomandime, duke filluar nga pasqyrat financiare, subvencionet, investimet kapitale deri te planifikimi dhe realizimi i buxhetit.