Publikohet Lista e Kandidatëve për Kryetarë të Gjykatave në Kosovë

Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj, ka konfirmuar për KALLXo.com listën e pretenduesve për t’i drejtuar gjykatat themelore dhe Gjykatën e Apelit, në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Për të pasuar Salih Mekën në krye të Gjykatës së Apelit, e që tani po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pretendojnë tre kandidatë. Hasan Shala, Xhevdet Abazi dhe Tomka Berisha janë tre kandidatët për kryetar të Gjykatës së Apelit.

Gjykatën themelore më të madhe në vend, atë të Prishtinës, e pretendojnë kandidatët Krenar Berisha, Afërdita Bytyqi,  Vesel Ismaili, Arben Hoti, Beqir Kalludra si dhe kryetari aktual që kërkon mandatin për herë të dytë, Hamdi Ibrahimi.

Për Gjykatën Themelore të Prizrenit, kryetari aktual Ymer Hoxha nuk ka asnjë kundërkandidat.

Për të udhëhequr me Gjykatën Themelore të Gjakovës, Vaton Durguti është kandidati i vetëm.

Garës për të parin e Gjykatës Themelore të Gjilanit i kanë hyrë kandidatët Naser Maliqi, Veli Kryeziu, Aziz Shaqiri dhe kryetari aktual Zyhdi Haziri.

Ndërsa në gjykatën fqinje, atë të Ferizajt, në garë është kandidati Elmaz Zenuni dhe kryetari aktual Bashkim Hyseni.

Afati për aplikim të kandidatëve për kryetarë të gjykatave ka përfunduar më 19 nëntor ndërsa mandati i kryetarëve të zgjedhur do të fillojë në janar të vitit të ardhshëm.

http://kallxo.com/shpallet-konkurs-per-kryetare-te-gjykatave/