Publicisti Veton Surroi kritikon institucionet në ditën ndërkombëtare të Librit të Ndaluar

Intelektualët, njerëzit e librit dhe të fjalës së lirë gjithmonë janë cak i pushteteve, sidomos atyre të reja, pasi ata shihen si rrezik për narracionin që duhet krijojnë pushtetet pas shtrirjes së pushtetit.

Kështu, domosdo, çdokush që krijon një rrëfim çfarëdo që nuk përkon me interesat e pushtet konsiderohet si rrezik për ta dhe ndiqet në forma të ndryshme. Pasi nuk pranojnë narracione alternative.

Kështu ka thënë publicisti Veton Surroi gjatë debatit publik me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, që u mbajt sot në lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, në kuadër të “Javës së librit të ndaluar”.

Pasi ka folur rreth censurave dhe persekutimeve që janë bërë ndaj shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë kohës së komunizmit dhe regjimit të shtetit serb-jugosllav, Surroi ka thënë se në ditët e sotme, ‘lufta’ ndaj krijuesve dhe fjalës së lirë zhvillohet krejt ndryshe, por më të njëjtin qëllim.

“Sot nuk ka arrestime apo dënime për fjalën e lirë por zgjidhen mënyra tjera për të penguar apo etiketuar atë që pushteteve nuk iu konvenon”, ka thënë ai.

Sipas tij, pushteti i sotëm është i kapur, që siç ka thënë ai, është një hibrid që i ngjan lëvizjes leniniste, ka kapur shtetin në në të gjitha format  duke futur njerëzit e tyre në institucione shtetërore, në ato private, në biznese, në të gjitha institucionet ku mund të krijohet vlerë.

Duke krijuar një diskrepancë për të drejtën e krijimit, dhe realisht siç ka thënë ai, çdokush që shkruan diçka që shihet si rrezik për pushtetin apo njerëzit e tij, e kanë të vështirë të gjejë një punë dhe kufizohet në mënyra të ndryshme nga mekanizmat që, siç ka thënë ai, janë në dorë të pushtetit të kapur.

“Nëse ju nuk jeni pjesë e pushtetit do ta keni vështirë të vini në shprehje. Nuk di a ka kamerë të RTK-së, sepse RTK-ja që është institucion publik dhe që është dashur të përkrahet misionin e juaj këtë e sheh si të panevojshme, gjegjësisht të papranueshme”, ka pohuar ai, duke e futur edhe televizionit publik si pjesë e atyre institucioneve që kontrollohet nga pushteti, dhe që nuk duhet të transmeton aktivitete të cilat nuk janë në të përshtatshme apo në vijën e interesave të pushtetit.

Surroi ka folur edhe për djegien e librave të tij më 2014, në Ferizaj dhe Skenderaj, duke e krahasuar me veprime të nazistëve dhe ISIS-it si dhe siç ka thënë ai, censurimit të veprës së tij për t’u inskenuar në Teatrin Kombëtare, rast këto të vetmet sipas tij që kanë ndodhur në Evropën Juglindore pas shembjes së komunizmit.