Pse hoqi dorë kryeprokurori nga padia për Mimoza Kusarin

Një fotografi e Mimoza Kusarit e shpërndarë nga gjyqtari i çështjes Misin Frangu ka nxitur dyshimin e avokatit të Ali Selimajt në objektivitetin e gjyqtarit pasi që  padia për shpifje e Selimajt është konsideruar  e tërhequr nga gjyqtari Frangu.

KALLXO.com raportoi dje se gjyqtari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, Misin Frangu  e ka konsideruar si të tërhequr padinë për shpifje nga kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj ndaj ish-kryetares së Komunës, Mimoza Kusarit.

Megjithatë, avokati i Selimajt, Meshar Selimaj për KALLXO.com thotë se arsyeja e mungesës në seance ishin disa ekzaminime që Selimaj kishte për t’i bërë jashtë shtetit, ndërsa përmend edhe faktin se si gjyqtari i çështjes në profilinn e tij në Facebook kishte një fotografi të Mimoza Kusarit.

Selimaj për të dëshmuar pretendimin e tij ka dërguar edhe një dëshmi – fotografi screenshot të profilit të Frangut ku shihet se ai kishte një fotografi të ish-kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari më datë 24 janar 2014 ndërsa fotografia e Mimoza Kusarit ishte e postuar më datë 7 nëntor 2009.

KALLXO.com në lidhje me këtë shpërndarje të fotografisë nga gjyqtari i çështjes ka dërguar pyetje edhe Gjykatës Themelore në Ferizaj se cila ishte domethënia e shpërndarjes së kësaj fotografie nga gjyqtari Frangu.

“Duke iu referuar pyetjes tuaj ju njoftoj se me rastin në fjalë është i ngarkuar gjyqtari Misin Frangu. Fotografit në profilin privat të gjyqtarit Misin Frangu, përkatësisht fotografia share/shpërndarja të cilës ju i referoheni (është bërë në vitit 2014 i njëjti është emëruar gjyqtar në Maj 2015) nuk  ka ndonjë domethënie, por duke marr parasysh se gjyqtari Frangu nuk është njohësi dhe përdorues i rregullt i këtij rrjeti social gabimisht kanë ndodhur edhe shpërndarjet  e tilla”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Sipas padisë, Mimoza Kusari- Lila në cilësinë e kryetares së Gjakovës e ftuar në emisionin “Jeta në Komunë”, të transmetuar në RTK më 31 janar 2016, duke u thirrur në punën e mëparshme të paditësit, ish-drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, pa bazë etiketon paditësin, ashtu që duke u përgjigjur në pyetjet e moderatores Jeta Xharra e godet integritetin e paditësit.

Sipas pretendimeve të kryeprokurorit, e pyetur nga një pjesëmarrëse në emision, Mimoza Kusari-Lila shpif duke thënë “A bën me ju pyet unë juve se si u bo që është sot prokuror përgjegjës ish-drejtori i Pronës  me manipulimet ma të mëdha në nivel të vendit që kanë ndodhë?”.

Më tej në padi pretendohet se pas një replike me të njëjtën pjesëmarrëse Kusari-Lila denigron me fjalë paditësin, duke thënë se “me profesionalizëm ka vjedh shumë, është e saktë”.

Lidhur me të gjitha këto pretendime, kryetarja e Gjakovës kishte thënë për  KALLXO.com në janar të vitit  2017  se kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme në raport me atë që është pritur se çka dikush mundet me presupozu për një njeri sikurse është zotëri Selimaj.

Emisionin e plotë në të cilin Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë deklaratat për çka është paditur mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm.

Jeta në Komunë – Gjakova