Dardan Molliqaj - PSD

PSD paralajmëron komision hetimor për punësimet partiake

Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar formimin e një komisioni hetimor parlamentar për punësimet politike dhe nepotizmin në ndërmarrjet publike.

Në një konferencë për media deputeti, Dardan Molliqaj tha se fenomeni i nepotizmit i ka përcjellë të gjitha qeveritë me theks të veçantë këtë të fundit

“Përmes kësaj logjike, vendi nuk do të ketë institucione të pavarura, kapja e shtetit po vazhdon. Ajo çka më shqetëson hala më shumë është se ka një theksim të punësimeve të militantëve dhe familjarëve. Ndërsa çështja e dytë është mënyra e deputetëve qysh po e adresojnë këtë çështje, ata po tentojnë ta bëjnë këtë legjitim. Deklarimet e tyre të fundit se do të punësonin të gjithë të afërmit e tyre është e rrezikshme”, tha ai.

Deputeti Molliqaj, ka ftuar prokurorinë e shtetit që të filloj hetimet për këto punësime të cilat kanë ndodhur.

Në anën tjetër Drejtori i Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Dren Kukaj, duke përmendur zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, tha se përmes këtij shembulli kanë paraqitur dëshmi shpresëdhënëse se si përzgjidhen anëtarët e një ndërmarrje publike.

“Në asnjë moment nuk kemi përzgjedhur anëtarët e kësaj ndërmarrje në mënyrë politike, mirëpo bashkë me anëtarë të Ambasadës Britanike dhe monitorues të BIRN-it kemi bërë përzgjedhjen e duhur”, tha ai.

Ditëve të fundit janë duke u publikuar një listë e gjatë e punësimeve partiake në ndërmarrjet publike.

https://kallxo.com/gjnk/motra-e-deputetes-donika-kadaj-punesohet-ne-ministrine-e-aak-se/