PSD e vjetër ishte në koalicion me PAN-in, PSD e re nuk e pranon

Grupi i Deputetëve të Pavarur javën e kaluar janë marrë vesh me Kaqusha Jasharin që GDP të shkrihen në këtë parti dhe që të krijohen strukturat e reja të partisë. Mirëpo PSD e vjetër për momentin de facto është pjesë e koalicionit parazgjedhor që i fitoi zgjedhjet, PAN-it, ani pse nuk kanë pasur asnjë kandidat për deputetë e nuk janë “shpërblyer” me asnjë post qeveritar nga Kryeministri Haradinaj.

Rreth 1 vit më parë, kur në Kuvend u votua për rrëzimin e Qeverisë e filluar përgatitjet për zgjedhjet e reja, pak kush e ka menduar se tani mund të kemi një bashkim të tillë nga të ndarët e Vetëvendosjes.

Pas problemeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje një numër i konsiderueshëm i deputetëve u dorëheqën dhe krijuar një grup të pavarur të deputetëve, të cilët priten që shumë shpejti të konsolidohen si parti politike, nën siglën e Partisë Social Demokrate të Kosovës, pjesë e secilës është edhe Kaqusha Jashari.

Mirëpo në qershor të vitit të kaluar, kur në Kosovë po ndërtoheshin koalicionet parazgjedhore, PSDK kishte nënshkruar koalicion parazgjedhor me AAK-në, ndërsa pak më vonë, AAK dhe partneri i saj kishin nënshkruar marrëveshje koalicioni me PDK-në dhe kishin krijuar koalicionin parazgjedhor PAN me shumë partie tjera të vogla, rreth 10 sosh. Në fund, PAN doli fituese e zgjedhjeve dhe së bashku me AKR-në dhe Listën Serbe krijuan Qeverinë.

Mirëpo lisa e gjatë e partive politike në koalicionin parazgjedhor PAN e kishte lënë PSDK-në pa asnjë përfaqësues në listën e kandidatëve për deputetë.

Kaqusha Jashari në një prononcim për KALLXO.com e konfirmoj se kanë pasur një marrëveshje paraprake me AAK-në, por që nuk kanë pasur asnjë kandidat në listën për deputet e nuk kanë marrë as ndonjë post qeveritar.

Madje, AAK-ja kishte njoftuar për koalicionin edhe përmes një komunikate për media.

AAK njoftonte në atë kohë se ka nënshkruar koalicio me PSD-në dhe Ballin Kombëtar të Kosovës.

“AAK, sot ka arritur marrëveshje koalicioni për zgjedhjet e 11 qershorit, me Partinë Social-Demokrate të Kosovës dhe Ballin Kombëtar të Kosovës. Akti i nënshkrimit është bërë në Selinë e AAK-së në Prishtinë, nga Kryetari Ramush Haradinaj dhe kryetarët respektivë të këtyre dy partive, Bajram Kelmendi dhe Selman Berisha”, thuhet në komunikatën e AAK-së të lëshuar me 16 maj 2017, kur edhe u nënshkrua ky koalicion parazgjedhor.

Ndërsa në ditën që u nënshkrua koalicioni në mes të AAK-së dhe PSD-së, në mbrëmje u nënshkrua edhe koalicioni ndërmjet PDK-së dhe AAK-së me të tjerët, meqë rast u krijua koalicion i madh parazgjedhor.

Pak orë para përfundimit të afatit të nënshkrimeve të koalicioneve parazgjedhore, më 16 maj, PDK-ja me partitë e tjerë që ishte në koalicion dhe AAK e Nisma me PSD-në e Ballin Kombëtar u bënë bashkë dhe u quajtën PAN.

Mirëpo shefi i grupit parlamentar të deputetëve të pavarur, Dardan Sejdiu thotë se PSD-ja nuk është e përfaqësuar në asnjë dikaster qeveritar apo në Kuvend, andaj e “injoron” faktin e koalicionit parazgjedhor.

“PSD nuk është e përfaqësuar në asnjë dikaster dhe në asnjë post qeveritar, e as në Kuvend, me sa di unë, andaj nuk është në koalicion qeverisës sepse nuk ka hyrë në Kuvend, pikë”, tha Sejdiu për KALLXO.com.

I pyetur se a do të distancohen nga ky koalicion parazgjedhor që PSD e ka pasur me PAN-in, Sejdiu thotë se kur të bëhet anëtar i kësaj partie “do të vendosim si kryesi”.

“Unë nuk jam pjesë e partisë Social Demokrate sot, kur të bëhem anëtari  partisë do të veprojmë sipas vendimeve të kryesisë dhe të organeve përgjegjëse.”, tha tutje Sejdiu.

Megjithatë edhe pse PSD nuk është përfaqësuar as në Qeveri e as në Kuvend, de facto ata kanë qenë pjesë e koalicionit, sepse ka edhe një marrëveshje politike të nënshkruar.

Madje, emri i PSD figuron edhe në fletëvotimin e zgjedhjeve të 11 qershorit, krahë për krahë me PDK-në, AAK-në, Nismën dhe shumë partie tjera.