Rama - Meta

PS nis procedurat për shkarkimin e Ilir Metës

Partia Socialiste do të nisë të enjten procedurat për shkarkimin e Ilir Metës si President. Vendimi i mor në mbledhjen e Kryesisë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raporton oranews.

Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke folur për gazetarët pas mbledhjes tha se të enjten Kuvendi do të zhvillojë një debat për gjatë, “duke shtjelluar të gjithë argumentat sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë dhe aq më pak të quajtur çdekretim”.

Kur u pyet nëse PS i ka 94 vota për shkarkimin e Presidentit, Spiropali devijoi me përgjigjen duke sjellë në vemendje edhe njëherë se Gjykata Kushtetuese është institucioni fundor për zgjidhjen.

E bindur, Sekretarja për bashkëqeverisjen dhe aleancat, njëkohësisht dhe anëtare kryesie tha se me 30 qershor do të ketë zgjedhje.

“Kryesia e PS ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës mbi Republikën parlamentare të Shqipërisë dhe kryesia e PS-së ka vendosur që të enjten në seancën plenare të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentat sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë dhe aq më pak të quajtur çdekretim. Ky debat do ti përmbledhë të gjithë argumentat tonë dhe në fund do ti takojë Kolegjit Zgjedhor apo KQZ-së ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike, por ne si Kryesi e PS-së mendojmë që Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe sigurisht parlamenti i Shqipërisë do të fillojë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga pozicioni i Presidentit të Republikës”, tha ajo.

PS mblodhi kryesinë menjëherë pas firmosjes nga presidenti Meta te anulimit të datës së zgjedhjeve, 30 qershor.