Aktivistët e VV-së në gjykatë për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Provat Rrethanore dhe Shfajësuese në Aktgjykimin për Sulmin në Kuvend

Trupi gjykues ka vlerësuar si provë rrethanore në aktgjykimin për aktivistët e Vetëvendosjes transkriptet e bisedës së Frashër Krasniqit me një person tjetër.

“(…) nga këto transkripte rezulton se gjatë zhvillimit të bisedës, personi NN i drejtohet tani të akuzuarit Frashër Krasniqi, duke i thënë ‘çka ke gju pa lidhje atje në RTK mos gjuni qasi sende pa lidhje, mos bani trazira’”, thuhet në aktgjykim.

Aty përmendet edhe përgjigjja e Frashër Krasniqit.

“I akuzuari Frashër i përgjigjet ‘eeeeee hej, hej, o djalë, kadalë se kto janë akuza serioze’ (…) ndërsa që i akuzuari Frashër e vazhdon bisedën duke i thënë ‘na ne RTK kena gju veç fjalë, ksi bomba e ksi, na jena plotësisht kundër’”, thuhet në aktgjykim.

Si provë rrethanore është përmendur edhe sulmi në shtëpinë e Murat Mehës, përgjegjësia për të cilin është marrë nga ‘rugovasit”.

“Për të cilin sulm po ashtu u mor përgjegjësia nga të ashtuquajturit rugovas përmes e-mailit të dt. 23.08.2016, në të cilin në një formë të ngjashme merrej përgjegjësia për sulmin ndaj Murat Mehës”, thuhet në aktgjykim.

“Arsyeja e sulmit ishte njëjtë ‘mbrojtja e tokës së Kosovës’ dhe paralajmërimi se sulmet e tyre kanë mu ashpërsue përherë ma shumë, e po ashtu edhe e folmja ishte e njëjtë”, thuhet më tutje në aktgjykim.

Provë rrethanore është cilësuar edhe sulmi në ndërtesën e RTK-së.

Provë shfajësuese ndaj aktivistëve konsiderohen foto-imazhet e dërguara për qartësim në FBI dhe raportet e ekspertimit të ADN-së.

Në aktgjykim tregohet që FBI-ja ka konstatuar se “këto imazhe nuk kanë qenë të favorshme për analizim dhe krahasim”.

Ndërsa gjurmët e ADN-së të marra nga vendi i ngjarjes të krahasuara me profilet e ADN-së së të akuzuarve, sipas raportit të ekspertimit të datës 18.08.2016, nuk kanë pasur lidhshmëri me të akuzuarit.

“Nga të gjitha këto dëshmi, nuk është identifikuar ADN-ja me origjinë njerëzore, apo që ka pasur lidhmëri me ndonjërin nga të akuzuarit”, thuhet në aktgjykim.

Duke përmendur këto prova shfajësuese, gjykata vlerëson veprimet e të akuzuarve si shumë te kujdesshme dhe të menduara mirë.

“(…) nuk është arritur për t’u identifikuar ADN-ja e ndonjë gjurme me origjinë njerëzore, çka edhe njëherë tregon mënyrën e veprimit të tani të akuzuarve, një mënyrë veprimi mirë e menduar, më qëllim që të mos mbeten fare gjurmë me rastin e kryerjes së këtyre veprimeve inkriminuese”, thuhet në aktgjykim.

KALLXO.com e siguroi dje aktgjykimin e shkruar për katër aktivistët e dënuar të Lëvizjes Vetëvendosje.

http://kallxo.com/trupi-gjykues-atdhe-arifi-e-pranoi-aksidentalisht-blerjen-e-motorit/

http://kallxo.com/qendrimi-mosperfilles-rendoi-denimet-e-aktivisteve-te-vv-se/