Protestojnë për 0.5 Përqindëshin e Stazhit

Punëtorët teknik të kompanisë “Higjiena” që mirëmbajnë Qendrën Studentore të Prishtinës kanë protestuar në lidhje me kërkesën që t’iu paguhet stazhi i punës të 0.5 përqindëshit nga Qendra Studentore por drejtues të kësaj qendre thanë se nuk janë adresa e duhur për kërkesat e tyre.

Isuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, tha se kjo është protesta e dytë dhe se kërkesa e tyre e vetme është pagesa e stazhit të 0.5 përqindëshit.

Sipas Azemit, deri më tani nuk është gjetur gjuha e përbashkët që të bëhet kjo pagesë dhe se janë vonuar më shumë se dy vite.

“Ne këtu jemi 24 punëtorë dhe nëse mund ta marrim një shumë buxhetore kjo nuk e kalon muajin me shumë se 300 eventualisht 400 euro, megjithatë këta janë vonuar më shumë se dy vite”, tha Azemi.

Ai gjithashtu tërheq vërejtjen se që nga sot dhe ditët në vijim, nëse nuk reflektohet pozitivisht tha se do të ndryshohet pozicioni i tyre.

“Të qetë po kërkojmë që kjo pagesë të bëhet në afatin sa më të shkurtër, sepse përndryshe neve na lejon ligji që ta ndërpresim punën dhe Qendra e Studentëve të mbetet në një gjendje që ne nuk e dëshirojmë”, u shpreh Azemi.

Punëtorja Ibadete Mahmuti, tha se është duke protestuar për diçka që ajo pretendon se i takon.

“Nuk po kërkojmë diçka që nuk na takon, nuk po bëjmë protestë që nuk na takon kështu që e kemi një protestë të qetë dhe kërkesa e jonë është kjo”, tha Mahmuti.

Mirëpo, Fatmir Sfishta, drejtor i Qendrës së Studentëve, tha se këta janë drejtuar në adresë të gabuar dhe se kjo e drejtë duhet të adresohet në kompaninë të cilët këta kanë kontratë.

“Këta janë drejtuar në adresë ta gabuar, punojnë në Qendrën e Studentëve, mirëpo janë punëtorë që kanë të nënshkruar një kontratë me një kompani private. Iu rekomandoj atyre që ta kërkojnë atë drejtë te kjo kompani private”, tha Sfishta.

Sfishta tregoi se Qendra e Studentëve ka kontratë me një kompani private dhe se këta punëtor kanë pagën më të mirë të mundshme sa i përket këtij sektori.

“Ne kemi të nënshkruar një marrëveshje me këtë kompani me të cilën kontratë ne i kemi favorizuar këta ish-punëtor të Qendrës së Studentëve, të cilën e kemi kushtëzuar kompaninë që të kenë një limit të pagës së tyre dhe se e kanë pagën më të mirë të mundshme sa i përket këtij sektori”, tregoi Sfishta.

Ndërsa Bekim Limani nga kompania “Higjiena” tha për KALLXO.com se kjo protestë është bërë ndërmjet sindikatës të sektorit privat dhe punëtorëve që punojnë në Qendren e Studentëve.

“Kjo protestë është bërë nga ata punëtorë që punojnë në Qendrën e Studentëve nëpërmjet sindikatës që i mbronë të drejtat e punëtorëve të sektorit privat”, tha Limani.

Mirëpo, sipas Limanit deri më tani nuk është bërë kërkesë nga ana e këtyre punëtorëve që t’iu bëhët pagesa e stazhit të punës nga kompania e jonë.

“Deri më tani këta punëtorë nuk kanë bërë kërkesë që t’u paguhet stazhi i punës. Nëse do të ishte bërë kjo kërkesë ne do ta kishim trajtuar atë me kushtet e parapara sipas kontratës”, tha Limani për KALLXO.com.