FOTO ARKIV

Protestë për Licencim Para Ministrisë së Shëndetësisë

Një grup i studentëve të drejtimit bio-kimiko- fiziologjik të degës Inxhinier i Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko- Natyrore kanë dalë për të protestuar të mërkurën para dyerve të Ministrisë së Shëndetësisë në kërkim të licencimit të tyre.

Njëri nga organizatorët e kësaj proteste tha për KALLXO.com se moslicencimi i tyre po i mban të bllokuar sa i përket avancimit të mëtejme profesional.

“Kemi dalë për shkak se Ministria e Shëndetësisë po refuzon të na licencojë. Pa licencë ne nuk mundemi me punu në asnjë institucion shëndetësor. Nuk do të ndalemi me protesta deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Hasim Avdijaj, një nga organizatorët e protestës.

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë tha se një komision për licencim të biokimistëve dhe laborantëve ka shqyrtuar përmbajtjen e planprogrameve të studimeve dhe ka vlerësuar se të njëjtit “nuk kanë lëndë-module klinike të nevojshme për t’u trajtuar si profesionistë shëndetësorë dhe për t’u licencuar”.

“Ministria e Shëndetësisë këtë çështje do t’ia adresojë Ministrisë së Arsimit e cila do ta ngrisë çështjen në nivel të qeverisë për formimin e komisionit përfundimtar multidisiplinor që do ta përcaktojë modulin shtesë të lëndëve klinike pas përfundimit të së cilës Ministria e Shëndetësisë do t’i trajtojë dhe licencojë në cilësinë e profesionistëve shëndetësorë”, tha Ministria e Shëndetësisë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët rreth problemeve të këtyre studentëve.

http://kallxo.com/pritja-e-pafund-e-laboranteve-per-licensim/